Diplomati Aivo Orav - Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Kosovë

  • Leonat Shehu

Këshilli Evropian emëroi të premtën diplomatin estonez, Aivo Orav, në postin e Përfaqësuesit të ri të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Zoti Orav do ta zëvendësojë përfaqësuesin e deritashëm, Tomash Szunyog, i cili shërbeu në këtë post që nga shtatori i vitit 2020.

Mandati i zotit Orav do të nisë më 1 shtator dhe do të zgjasë për një periudhë fillestare dy vjeçare.

Në njoftimin e Këshillit Evropian thuhet se Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së Aivo Orav do të luajë një rol udhëheqës në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe shumë etnike e cila bashkëpunon me rajonin. “Ai gjithashtu do të mbështesë perspektivën evropiane të Kosovës dhe afrimin me Bashkimi Evropian dhe do të vëzhgojë, ndihmojë dhe lehtësojë përparimin në përparësitë politike, ekonomike dhe evropiane”.

Përfaqësuesi i ri, Aivo Orav, aktualisht është Përfaqësues i Përhershëm i Estonisë në Bashkimin Evrropian dhe më parë ka shërbyer si shef i delegacioneve të BE-së në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Zgjatet mandati i të dërguarit të BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi

Këshilli i Bashkimit Evropian njoftoi po ashtu se ka zgjatur mandatin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak deri më 31 janar të vitit 2025.

Zoti Lajçak që ishte emëruar në prill të vitit 2020 në këtë post është duke bërë përpjekje që shtyjë Kosovën dhe Serbinlë që të fillojnë me zbatimin e marrëveshjeve që u arritën vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Me 18 korrik Kosova dhe Serbia u dërguan ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, në bazë të të cilave blloku pritet të hartojë një propozim të ri mbi këtë proces.

Lexoni edhe këtë Alexander Kasanof, zv/ndihmës sekretar amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit, njoftoi se Alexander “Sasha” Kasanof është emëruar zëvendës ndihmës i sekretarit për Ballkanin Perëndimor, një post që deri në muajin maj e mbante ish i dërguari për rajonin, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit të DASH-it, zoti Kasanof është edhe zëvendës ndihmës i sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë.

Diplomati Luigi Soreca - Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Bosnje e Hercegovinë

Këshilli Evropian emëroi të premtën edhe diplomatin italian, Luigi Soreca, në postin e Përfaqësuesit të ri të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë duke zëvendësuar Johann Sattler.

Zoti Soreca, që do të marrë detyrën e tij më 1 shtator 2024 për një periudhë fillestare dy vjeçare më parë ka shërbyer në Shqipëri si shef i delegacionit të Bashkimit Evropian.