Komisioni Evropian paralajmëroi Sllovakinë se do të nisë veprime të menjëhershme ligjore nëse qeveria çon përpara një ligj të propozuar i cili kërkon nga Organizata Joqeveritare marrin fonde nga jashtë, të regjistrohen si "organizata me mbështetje të huaj".
"Isha në Bratislavë dhe e bëra shumë të qartë", tha nënpresidentja e Komisionit Evropian Vera Jourova të mërkurën, pak para publikimit të raportit vjetor mbi sundimin e ligjit në BE.
“Nëse ndiqni shembullin hungarez për ligjin mbi Organizatat Joqeveritare, ne do të nisim menjëherë një procedurë (për shkeljen e ligjit në BE), sepse tashmë e kemi në tryezë vendimin e gjykatës (Evropiane të Drejtësisë)”, tha ajo.
Hungaria miratoi një ligj të ngjashëm për OJQ-të e financuara nga jashtë në vitin 2017, por e shfuqizoi atë në vitin 2021, pasi Gjykata Evropiane e Drejtësisë e shpalli atë të paligjshëm.
Komisioni Evropian është duke u përplasur me Hungarinë për çështjet e sundimit të ligjit dhe ka bllokuar fondet e BE-së për të. Budapesti gjithashtu shqetësoi partnerët e tij të bllokut në fillim të presidencës gjashtëmujore të BE-së me "misionin e paqes" të kryeministrit Viktor Orban, që përfshiu bisedimet me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.
Beteja të ngjashme ligjore me Poloninë përfunduan pas ndryshimit të qeverisë polake vitin e kaluar.
Raporti vjetor i BE-së për sundimin e ligjit mbulon cështje që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor, korrupsionin, lirinë e medias dhe fusha të tjera si shoqëria civile. Raporti ofron rekomandime jodetyruese për të 27 vendet anëtare të bllokut.
Zonja Jourova tha se vendet anëtare u janë përmbajtur të paktën pjesërisht, rreth dy të tretave të rekomandimeve të vitit 2023.
Për sa i përket gjyqësorit, Hungaria ka ndërmarrë reforma që do ta lejojnë atë të zhbllokojë deri në 10 miliardë euro të ndihmës për zhvillim të BE-së.
Komisioni Evropian pret më shumë lëvizje për liritë dhe pluralitetin e medias kur një Akt Evropian për Lirinë e Medias, të hyjë në fuqi në gusht të vitit 2025.
Por, zyrtarët e Komisionit thonë se kanë parë më shumë trysni të qeverive ndaj grupeve të shoqërisë civile në disa vende të BE-së.
"Sigurisht që situata është e ndryshme në çdo vend anëtar, por kjo është një prirje shumë shqetësuese", tha një zyrtar i bllokut.