Presidenti Joe Biden vendosi të tërhiqet nga gara presidenciale. Pas njoftimit, ai mbështeti nënpresidenten Kamala Harris për të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandate për presidente në zgjedhjet e nëntorit.
Por, mbështetja e presidentit nuk mjafton. Zonja Harris duhet të sigurojë mbështetjen e partisë, ndërsa në Kuvendin Kombëtar Demokrat, që mbahet më 19-22 gusht në Çikago, mund të ketë edhe disa pretendentë të tjerë të mundshëm për të marrë emërimin si kandidat për president.
Kandidatët e mundshëm demokratë për të zëvendësuar presidentin Biden.
Kamala Harris – Nënpresidente e Shteteve të Bashkuara
Ajo ka udhëhequr fushatën e administratës për mbrojtjen e të drejtave riprodhuese të grave. Në fillim, ajo hasi në vështirësi në përcaktimin e rolit të saj në administratë.
Emri i saj është më i përfoluri në mesin e kandidatëve të mundshëm, por, ngjashëm me presidentin Biden, mbështetja për të është e ulët.
Zonja Harris është një aleate e palëkundur e presidentit, të cilit i doli në mbrojtje menjëherë pas debatit.
Ajo është ish-senatore amerikane nga Kalifornia dhe ish prokurore e përgjithshme.
Gretchen Whitmer – Guvernatore e Miçiganit
Ajo fitoi mandatin e saj të dytë më 2022 me mbi 54% të votave në këtë shtet fushëbetejë.
Fushata e saj e vitit 2022 u siguroi demokratëve kontrollin e legjislaturës së shtetit dhe postin e guvernatorit – për herë të parë në 40 vjet.
Ajo ka miratuar politika që mbrojnë të drejtën për abort dhe sigurinë e armëve.
Emri i saj është përfolur si kandidate e mundshme në zgjedhjet e vitit 2028.
Gavin Newsom – Guvernator i Kalifornisë
Një nga pretendentët kryesorë për zëvendësimin e presidentit Biden.
Guvernatori shfaqet shpesh në media për të lavdëruar ose mbrojtur presidentin Biden, si dhe për të kritikuar ish-presidentin Trump. Ai ishte po ashtu politikani kyç i partisë në mediat konservatore.
Newsom ka qënë zëvendës guvernator për dy mandate dhe më parë kryebashkiak i San Franciskos.
Emri i tij përflitet si kandidat i mundshëm për zgjedhjet e vitit 2028.
Pete Buttigieg – Sekretar amerikan i Transportit
Ai është angazhuar në menaxhimin e reagimit të qeverisë ndaj urgjencave të mëdha publike, duke përfshirë daljen nga shinat të një treni në Ohajo, shembjen e urës së Baltimorës dhe krizën në oraret e fluturimeve të kompanisë ‘Southwest Arlines’ më 2022.
Ai vlerësohet si një nga personat me aftësitë më të mira komunikuese në administratë.
Buttigieg kërkoi emërimin e demokratëve në zgjedhjet presidenciale 2020, por humbi ndaj Bidenit në zgjedhjet paraprake.
Ai është ish-kryetar i bashkisë ‘South Bend’ në Indiana.
Josh Shapiro – Guvernator i Pensilvanisë
Ai fitoi zgjedhjet më 2022 me 56% të votave në një shtet përcaktues të zgjedhjeve të cilin Trumpi e fitoi me rezultat të ngushtë më 2016, ndërsa Bideni e fitoi po ashtu me rezultat të ngushtë më 2020.
Ai është ish-prokuror i përgjithshëm në Pensilvani.
Shapiro vë theksin tek bashkëpunimi dypartiak dhe gjatë mandatit të tij ka punuar përtej linjave partiake.
Ai ka ruajtur gjithashtu një shkallë të lartë mbështetjeje që kur u zgjodh.
Guvernatori fitoi vëmendje kombëtare pasi rindërtoi shpejt një urë të shembur në Filadelfia përgjatë një autostrade të rëndësishme shtetërore.
J.B. Pritzker – Guvernator i Illinoit
Ai ka mbikëqyrur masat për mbrojtjen e të drejtave të abortit, si dhe sigurinë dhe kontrollin e armëve.
Pritzker mori vëmendje kombëtare për sulmet e tij të ashpra ndaj ish-presidentit Trump dhe mbështetjen për presidentin Biden.
Biznesmeni miliarder është trashëgimtar i rrjetit të hoteleve Hyatt. Ai ka një pasuri prej rreth 3.5 miliardë dollarësh.
Ai ka shpenzuar 350 milionë dollarë në dy fushatat e tij për guvernator.
Andy Beshear – Guvernator i Kentakit
Ai po shërben në mandatin e tij të dytë si guvernator i një shteti thellësisht konservator.
Beshear u rizgjodh më 2023 me një diferencë prej pesë përqindësh.
Guvernatori mori vëmendje kombëtare për suksesin e papritur në zgjedhje.
Wes Moore – Guvernator i Merilendit
Ai mori vëmendje mbarëkombëtare pas shembjes së urës ‘Francis Scott Key’ në Baltimorë.