Një gjykatë në Rusi konfirmoi të hënën se gazetarja amerikane Alsu Kurmasheva u dënua gjatë një procesi me dyer të mbyllura, që është parë gjerësisht si një hakmarrje.
Zonja Kurmasheva, e cila punon për agjencinë simotër të Zërit të Amerikës, për Radion Evropa e Lirë / Radio Liria (RFE/RL), u dënua të premten me gjashtë vite e gjysmë burgim për përhapje të informacioneve false në lidhje me ushtrinë ruse, sipas faqes në internet të gjykatës në Tatarstan.
“Ky gjyq sekret dhe ky dënim ishte një parodi gjyqësore – i vetmi përfundim i drejtë për Alsun do të ishte lirimi i menjëhershëm nga burgu ku e mbajnë gardianët rusë”, tha në një deklaratë presidenti dhe drejtori ekzekutiv i RFE/RL Stephen Capus. “Është koha që kjo shtetase amerikane, kolegia jonë e dashur, të ribashkohet me familjen e saj të admirueshme”.
Gjyqi me dyer të mbyllura u bë në qytetin Kazan, ku zonja Kurmasheva është burgosur që në tetor 2023. Kazani është rreth 800 kilometra në lindje të Moskës.
Zonja Kurmasheva, redaktore në shërbimin që transmeton në gjuhën tartare-bashkire të RFE/RL, u akuzua fillimisht se nuk kishte regjistruar pasaportën e saj amerikane dhe se nuk ishte regjistruar si “agjente e huaj”, si dhe për përhapje të informacionit fals në lidhje me ushtrinë.
Ajo udhëtoi drejt Rusisë në maj 2023 për t’u kujdesur për nënën e saj të moshuar. Në qershor autoritetet ruse i ndaluan largimin nga vendi dhe i konfiskuan pasaportat. Në vazhdim, ajo u arrestua në muajin tetor.
Gazetarja dhe agjencia për të cilën ajo punon kanë refuzuar vazhdimisht akuzat e ngritura ndaj saj. Edhe qeveria amerikane ka bërë thirrje për lirimin e saj të menjëhershëm.
Zonja Kurmasheva ka dy nënshtetësi, amerikane dhe ruse, por autoritetet ruse i kanë mohuar të drejtën e kontaktit me zyrtarët konsullorë amerikanë.
Zëdhënësja e gjykatës Natalya Loseva i konfirmoi agjencisë së lajmeve Associated Press se zonja Kurmasheva u dënua me 6 vite e gjysëm burgim në një çështje gjyqësore të klasifikuar sekret, për të cilën nuk jepen detaje për natyrën e akuzave ndaj saj.
Gjyqi sekret ndaj zonjës Kurmasheva u bë në të njëjtën ditë që gazetari amerikan Evan Gershkovich u dënua me 16 vite burgim për akuza spiunazhi që janë mohuar me forcë prej tij dhe qeverisë amerikane.
Ambasada amerikane në Moskë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar.
Në muajin qershor, 19 media dhe organizata të lirisë së shtypit i bënë thirrje Shteteve të Bashkuara për të bërë më shumë për ta ndihmuar zonjën Kurmasheva.
Në një letër të përbashkët drejtuar presidentit amerikan Joe Biden, këto organizata u shprehën se zonja Kurmasheva është arrestuar “për shkak se është gazetare dhe gazetaria nuk është një krim”.
“Motivi i vetëm i Rusisë për mbajtjen e saj është për ta shkëmbyer me ndonjë nga njerëzit e saj”, thuhet në letër.
Organizatat që vëzhgojnë situatën e mediave thonë se Rusia ka një historik të gjatë burgosjesh të gazetarëve. Sipas të dhënave të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, 22 janë arrestuar vetëm deri në fund të vitit 2023. Pothuajse të gjithë të arrestuarit janë shtetas të huaj.
Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencia e lajmeve Associated Press.