Në Shqipëri, ministri i Shtetit, për Pushtetin vendor, Arbjan Mazniku, ishte sot në Prokurorinë e Posaçme ku mësohet të jetë pyetur rreth kompanisë "5D" e cila dyshohet se është në pronësi të dy ish drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, të arrestuar në muajin mars. Përpara se të merrte detyrën e ministrit në shtator të vitit të kaluar, zoti Mazniku ka qenë nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, që prej vitit 2015. Pasi doli nga Prokuroria, ku qëndroi afro 3 orë, ai nuk dha shpjegime por u mjaftua të thotë se kishte qenë si person në dijeni të një çështjeje.
Lexoni edhe këtë Korrupsion, arrestohen dy ish drejtorë të Bashkisë së TiranësNdërsa ai ishte ende brenda godinës me hetuesit, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi publikoi pranë derës së Prokurorisë, një marrëveshje për prishjen e disa pallateve në Tiranë, të nënshkruar në prill të vitit 2021 mes zotit Mazniku, si nënkryetar i Bashkisë, dhe kompanisë së dy ish drejtorëve Redi Molla dhe Maringlen Qato, e cila në atë kohë quhej V.A.S Konstruksion. Bëhet fjalë për një akt të shtyrjes së afateve të punimeve të marra përsipër nga kompania dhe një ortake e saj.
Zoti Këlliçi akuzoi ish nënkryetarin e Bashkisë se “jo vetëm ka firmosur këtë marrëveshje, por e ka shtyrë afatin e saj disa herë, për të favorizuar kompaninë 5D dhe pazaret e tjera për ndërtimet e radhës”. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike akuzoi më tej Prokurorinë e Posaçme se po përpiqet të aministojë zotin Veliaj dhe ish zëvendësin e tij Mazniku.
Lexoni edhe këtë Nën sekuestro kompania “5D” dhe pasuri të tjera të ish Drejtorëve të Bashkisë së TiranësSipas Prokurorisë, kompania “5D” dyshohet të ketë përfituar në shkelje të rregullave disa tendera nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj, me vlera disa miliona eurosh. Pak ditë më parë, kjo kompani dhe prona të familjarëve të dy ish drejtorëve u vunë nën sekuestro. Hetimet për këtë rast, po zhvillohen për disa vepra penale, që nga fshehja e pasurisë, te shkelja e barazisë në tendera, korrupsioni apo pastrimi parave.