Reagimet e qytetarëve pas tërheqjes së Presidentit Biden nga gara zgjedhore

  • VOA

Disa orë pasi Presidenti Joe Biden njoftoi se ka vendosur të tërhiqet nga gara zgjedhore dhe të mbështesë nënpresidenten Kamala Harris për emërimin e partisë, banorë të Uashingtonit u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë për të shprehur mbështetjen për Presidentin. Zëri i Amerikës foli me disa prej tyre si dhe disa qytetarë në Nju Jork mbi reagimet e tyre ndaj këtij vendimi historik.

Your browser doesn’t support HTML5

Reagimet e qytetarëve pas tërheqjes së Presidentit Biden nga gara zgjedhore


Mbështetësit e Presidentit të Shteteve të Bashkuara u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë për të kujtuar karrierën 50 vjeçare të zotit Biden pasi ai njoftoi largimin nga gara për t’u rizgjedhur.

“Presidenti Biden ishte udhëheqësi më i mirë që kemi patur për mbrojtjen e mjedisit. Ai krijoi mundësinë që të ndalojmë ndryshimet mjedisore dhe unë do t’i jem gjithmonë mirënjohës për këtë”, thotë mbështetësi i zotit Biden, Trevor Higgins.

“Jam mirënjohëse për Presidentin Biden dhe atë që ai ka bërë. Unë do të doja që ai të kujtohej si një president shumë i mirë dhe jo për dobësinë që kemi parë së fundmi si pasojë e moshës”, thotë një mbështetëse tjetër e Presidentit.

Lexoni edhe këtë Demokratët në panik nga paraqitja e dobët e zotit Biden në debatin e parë presidencial
Lexoni edhe këtë Lloyd Doggett, ligjvënësi i parë demokrat që bëri thirrje për tërheqjen e presidentit Biden nga kandidimi

Në Nju Jork, disa prej qytetarëve të intervistuar nga Zëri i Amerikës, thonë se nuk mund të fshihet nga kujtesa paraqitja e dobët e Presidentit gjatë debatit të parë dhe të vetëm televiziv me rivalin republikan, Donald Trump.

“Gjatë debatit ai nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë. Babai im ka filluar të shfaqë shenjat e para të Alcajmerit dhe unë kujdesem për të. Kur pashë debatin mendova se ai ishte më shumë një individ që ka nevojë për kujdes dhe nuk duhet të vihet në një situatë aq stresuese sa ç’kërkon detyra e udhëheqësit të kombit më të rëndësishëm në botë”, thotë Cesar Gonzalez, banor i Nju Jorkut.

“Unë mendoj se ai duhej të hiqte dorë. Ai nuk është në gjendje të mirë mendore që të vazhdonte garën dhe është më mirë që t’ia japë këtë detyrë dikujt tjetër”, thotë banorja tjetër e Nju Jorkut, Nereida Sarracin.

Një banore tjetër thotë se u habit nga lajmi.

“Jam e tronditur dhe nuk e kuptoj ç’po ndodh! Ky ishte reagimi i parë kur dëgjova lajmin, por nga ana tjetër, Kamala po del në krye dhe kjo më pëlqen”, thotë Frenchie Langford.

Ndërsa një tjetër banore e Nju Jorkut thotë se Partia Demokrate duhej të ndërhynte më parë për ta zëvendësuar zotin Biden.

“Sinqerisht, nuk jam e befasuar. Uroj që Partia Demokratike ta kishte kuptuar më herët këtë, që vendimi të mos dukej kaq i nxituar dhe kaotik. Nëse zoti Biden do të kishte qëndruar si kandidat, ai gjithsesi do të kishte humbur ndaj zotit Trump. Megjithatë, mendoj që ky vendim i vonshëm është shumë më i mirë, sesa të vazhdohej gara me zotin Biden”, thotë Madeline Mills.

Banorë të tjerë të Nju Jorkut e mirëpresin vendimin dhe thonë që duan ta kujtojnë Presidentin si një politikan që ka punuar mirë.

“Mendoj se është një ide e mirë. Unë kam votuar për zotin Biden. Ai dhe zyrtarët e tjerë demokratë kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Ata miratuan dy ose tre ligje të mëdha kundrejt përpjekjeve të ashpra kundër të opozitës republikane, por është fakti që ai është plakur shumë. Unë mendoj se shumë amerikanë e dinë këtë”, thotë Jeff Kiffer.

“Jam i lehtësuar. Ai është njeri i mrekullueshëm. Por padyshim, mosha e ka bërë të vetën. Më vjen mirë që po largohet pasi kështu bëri atë që është e drejtë për vendin”, thotë Charles Buddeke.

“Mendoj që Presidenti Biden meriton çdo lëvdatë pasi vendosi të tërhiqet. Padyshim nuk ka qenë një vendim i lehtë”, thotë banori i Nju Jorkut, Scott Perkins.

Diskutimet rreth mundësisë së largimit të Presidentit Biden filluan pas debatit me ish Presidentin Trump më 27 qershor. Jo pak zyrtarë demokratë, përshirë dhjetëra ligjvënës i bënë thirrje publike presidentit të tërhiqej, duke përmendur sondazhet që tregonin rënien e mbështetjes për të pas debatit, si dhe disa intervistave që ai dha më pas për mediat amerikane.