Policia e Kosovës tha të dielën se një shpërthim në afërsi të liqenit të Ujmanit, në veri të vendit, kaloi pa dëme në njerëz, por me dëme materiale në dy makina njëra me targa të Kosovës dhe tjetra me targa amerikane.
Policia beson se bëhet fjalë për shpërthimin e në granate dore të hedhur nga një apo më shumë persona të panjohur, por nuk ka më shumë njohuri për autorët apo motivet e mundshme të rastit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkroi në rrjetet sociale se “Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme”.
Liqeni që serbët e quajnë Gazivodë, është ndërtuar në vitet e 80-ta dhe një pjesë e tij shtrihet në Serbi. Ai ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të vendit, përfshirë kryeqytetin. Liqeni është një nga pikat e nxehta të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Ditëve të fundit, mes vapës së madhe, qytetarë të zonës po e shfrytëzojnë liqenin për të bërë plazh. Autoritetet thanë se kjo pasqyron vendosjene sundimit të ligjit në veriun e banuar me shumicë serbe.
“Sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themeltare dhe interes i përbashkët i shoqërisë dhe qytetarëve bashkë me shtetin e Kosovës. Patjetër që institucionet e sigurisë, marrë për bazë profesionalizmin bashkëkohor dhe vullnetin e palëkundur, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë. Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, shkroi të dielën kryeministri Kurti.
Në qershor të vitit 2021 Shtetet e Bashkuara u dorëzuan qeverive të Kosovës dhe Serbisë raportin e Departamentit amerikan për Energji, mbi menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, që ishte pjesë e zotimeve në marrëveshjen ndërmjet të dyja vendeve për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, të nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë në praninë e ish presidentit amerikan, Donald Trump.
Lexoni edhe këtë SHBA u propozon Kosovës dhe Serbisë modelin e trajtimit të liqenit të UjmanitPjesë e marrëveshjes ishte edhe dakordimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që ishte kritik ndaj marrëveshjes, tha se i pëlqente “ta lexonte nga fundi”, tekstin e saj, meqë pika e fundit ishte njohja e Kosovës nga Izraeli.