13 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Një ekip mjekësor bëri të mundur lindjen e një foshnje nga një grua palestineze e vrarë nga një sulm ajror

Të paktën 13 persona u vranë në tre sulme ajrore izraelite që vunë në shënjestër kampet e refugjatëve në Gazën qendrore të shtunën gjatë natës, sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë, ndërsa bisedimet për armëpushim në Kajro duket se po shënojnë përparim.

Midis të vdekurve në Kampin e Refugjatëve Nuseirat dhe Kampin e Refugjatëve Bureij ishin tre fëmijë dhe një grua, sipas ekipeve palestineze të urgjencës që transportuan trupat në spitalin Al-Aksa aty pranë.

13 trupat u numëruan në spital nga gazetarët e AP-së. Më herët, një ekip mjekësor bëri të mundur lindjen e një foshnje nga një grua palestineze e vrarë nga një sulm ajror që goditi shtëpinë e saj në Nuseirat të enjten në mbrëmje.

25 vjeçarja Ola al-Kurd u vra së bashku me gjashtë të tjerë në shpërthim, por u dërgua me shpejtësi nga punonjësit e urgjencës në spitalin Al-Awda në Gazën veriore me shpresën për ta shpëtuar fëmijën e palindur.

Disa orë më pas, mjekët i thanë agejncisë Associated Press se djali i porsalindur është në gjendje të qëndrueshme por kishte pasur mungesa oksigjeni dhe ishte vendosur në një inkubator, tha të premten doktor Khalil Dajran.

Lufta në Gazë që nisi pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetori, ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 38.900 vetëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi, e cila nuk bën dallime mes luftëtarëve dhe civilëve në numërimin e saj.

Lufta ka shkaktuar një katastrofë humanitare në territorin palestinez, ka zhvendosur shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh dhe ka shkaktuar uri masive.

Sulmi i Hamasit në tetor shkaktoi vdekjen e 1200 vetëve, kryesisht civilë. Militantët morën peng rreth 250 të tjerë. Rreth 120 prej tyre vazhdojnë të mbahen peng. Rreth një e treta e tyre besohet të kenë vdekur, sipas autoriteteve izraelite.

Ndërkohë në Kajro, ndërmjetësit ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, po vazhdojnë të nxisin Izraelin dhe Hamasin që të arrijnë një marrëveshje që do të zbatohej me faza, e cila do të ndalte luftimet dhe do të lironte pengjet në Gazë.

Të premten, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se një marrëveshje armëpushimi midis Hamasit dhe Izraelit që do të lironte pengjet izraelite është pranë, por shtoi se pikërisht fazat e fundit janëmë të vështirat.

Negociatat që vazhdojnë pa rezultat përfundimtar që nga një armëpushim njëjavor në nëntor. Si Hamasi ashtu edhe Izraeli kanë akuzuar vazhdimisht njëri-tjetrin për minimin e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje.