UASHINGTON – Presidenti Joe Biden bëri thirrje të premten për bashkim të partisë për ta mposhtur atë që e quajti “vizioni i errët” që përfaqëson kundërshtari i tij politik, ish-Presidentit Donald Trump. Komentet e zotit Biden vijnë përballë trysnisë së demokratëve në nivelet më të larta, që po kërkojnë nga ai të largohet nga gara presidenciale dhe të hapë rrugë për emërimin e një kandidati të ri.
Ndërsa më shumë ligjvënës dhe senatorë demokratë iu bashkuan zërave kundërshtarë të premten, ka arritur në rreth 36 numri i të zgjedhurve demokratë në Kongres që duan që zoti Biden të tërhiqet pas paraqitjes së dobët në debatin me zotin Trump.
Gjatë orëve të vona të së premtes, senatori demokrat nga Ohajo, Sherrod Brown iu bashkua thirrjeve për tërheqjen e presidentit Biden nga kandidimi.
Senatori Brown u shpreh në një deklaratë se ai është dakort me shumë banorë të Ohajos që e kanë kontaktuar. "Mendoj se presidenti duhet t'i japë fund fushatës së tij elektorale", tha senatori demokrat që përballet këtë vit me një kandidim të vështirë për rizgjedhjen e tij.
Pak më vonë, ligjvënësi demokrat nga Kentaki, Morgan McGarvey gjithashtu i bëri thirrje presidentit të tërhiqet, duke deklaruar se "nuk ka gëzim në pranimin se ai nuk duhet të jetë kandidati ynë në nëntor. Por, çfarë do të vendoset nga këto zgjedhje është tepër e rëndësishme".
Presidenti Biden ndodhet i izoluar në shtëpinë e tij të pushimit në Dellauer, pas infektimit me COVID-19, por ai tha se java tjetër do ta gjejë atë në fushatë.
Presidenti, i cili këmbëngul se mund ta mundë kandidatin republikan Donald Trump, po konsultohet me familjen dhe po mbështetet tek disa këshilltarë të tij të besueshëm, ndërkohë që po përpiqet t’u rezistojë përpjekjeve për ta larguar nga gara.
Në një deklaratë të premten, zoti Biden tha se fjalimi i zotit Trump në Kuvendin Kombëtar Republikan, shpalosi “një vizion të errët për të ardhmen”. Presidenti, që po përpiqet ta spostojë bisedën politike nga e ardhmja e tij tek axhenda e kundërshtarit të tij, tha se kishte në plan t’i rikthehej fushatës javën e ardhshme. Ai këmbënguli se pavarësisht shqetësimeve të disa zyrtarëve të partisë, ai mund t’i fitojë zgjedhjet e nëntorit.
“Bashkarisht, ne mundemi dhe do ta mposhtim atë tek kutia e votimit”, deklaroi zoti Biden. “Rreziku është i lartë dhe zgjidhja është e qartë. Së bashku, do të fitojmë”.
Gjithashtu, nënpresidentja Kamala Harris siguroi të premten mbështetësit kryesorë financiarë demokratë se Partia Demokrate do t'i fitojë zgjedhjet presidenciale, ndërkohë që shtohej numri i ligjvënësve demokratë që kërkonin tërheqjen e presidentit.
"Do t'i fitojmë këto zgjedhje", tha ajo gjatë një telefonate të organizuar në minutën e fundit, sipas një personi në dijeni të bisedës. "E dimë se cili kandidat në këto zgjedhje vendos të parin popullin amerikan: presidenti ynë Joe Biden".
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, në ftesën dërguar donatorëve u kërkohej të merrnin pjesë në një informim 30-minutësh "për të diskutuar nevoja urgjente që po shfaqen". Kjo agjenci pati njoftuar se disa nga aktivitetet për mbledhje fondesh për fushatën elektorale të presidentit ishin pezulluar, ndërsa donatorët kishin kërcënuar t'i tërhiqnin fondet e tyre.
Më herët gjatë ditës, drejtuesja e fushatës Jen O’Malley Dillion, pranoi se ka “rënie” të përkrahjes për presidentin, por këmbënguli se ai “absolutisht” do të qëndrojë në garë dhe se ekipi i tij elektoral mendon se ka “disa mënyra” për ta mundur zotin Trump.
“Kemi shumë punë për t'i siguruar amerikanët se po, është i moshuar, por ai mund të fitojë zgjedhjet”, deklaroi ajo në televizionin MSNBC. Por ajo tha se votuesit e shqetësuar rreth aftësisë së zotit Biden për të udhëhequr vendin, nuk kanë vendosur aspak të votojnë zotin Trump. “Ata kanë pyetje, por po qëndrojnë me Joe Biden-in,” tha ajo.
Në të njejtën kohë, dega e Komitetit Kombëtar Demokrat mbajti një takim të premten, duke vazhduar me planet për një votim virtual më 7 gusht për të emëruar të përzgjedhurin e partisë për president para kuvendit të partisë që do të mbahet në fund të gushtit në Çikago.
Këto janë ditë tejet të rëndësishme për presidentin dhe partinë e tij: zoti Trump sapo përmbylli Kuvendin Kombëtar Republikan në Miluoki me entuziazëm. Ndërkohë, demokratët, që po luftojnë me kohën, po shqyrtojnë mundësinë e jashtëzakonshme që zoti Biden të tërhiqet nga gara zgjedhore për të lëshuar rrugën një të emëruari të ri para kuvendit.
Të premten, përfaqesuesit Jared Huffman, Mark Veasey, Chuy Garci dhe Mark Pocan – që bashkarisht përfaqësojnë një grup të gjërë të Partisë Demokratike në Kongres – bën një thirrje të përbashkët për largimin e zotit Biden nga gara.
“Duhet ta mposhtim Donald Trumpin për të shpëtuar demokracinë tonë”, shkruan ata.
Në një shkrim të veçantë, përfaqësuesi Sean Casten i Illinoit shkroi se “me zemër të thyer dhe pas një reflektimi personal” ai, gjithashtu, i bëri thirrje zotit Biden “të bartë stafetën tek gjenerata e re”.
Zyrtarët e fushatës thanë se zoti Biden është edhe më i përkushtuar të qëndrojë në garë përkundër thirrjeve për t’u tërhequr. Sipas tyre, këshilltarët e lartë të presidentit në Shtëpinë e Bardhë nuk kanë patur biseda të brendshme me presidentin për largimin e tij nga gara.
Por ende mbetet kohë për ta rishikuar këtë qëndrim. Zotit Biden i është thënë që fushata po has në vështirësi të mbledhë fonde dhe se demokratët e rëndësishëm po shqyrtojnë mundësitë, ndërkohë që ai është i izoluar për shkak të COVID-19 dhe nuk po bën fushatë, për të nxitur largimin e tij. Disa pjesëtarë të kabinetit të tij kanë dyshime mbi aftësinë e zotit Biden për të fituar.
Sipas Associated Press, njoftimi për këtë lajm është bazuar pjesërisht në informacionin e dhënë nga rreth dhjetë persona, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të çështjes.