Është një imazh që tashmë e ka parë e gjithë bota.
E shkrepur nga fotoreporteri me përvojë i agjencisë së lajmeve Associated Press Evan Vucci, fotografia kap momentin menjëherë pas përpjekjes për atentat ndaj zotit Trump në tubimin zgjedhor.
“Ishte një tubim i zakonshëm. Kam mbuluar qindra të tillë. Nga krahu i majtë, dëgjova disa krisma dhe menjëherë e kuptova se bëhej fjalë për të shtëna me armë zjarri”, thotë ai.
Fotoreporteri Vucci është njëri nga dhjetra gazetarë që mbulonin tubimin e së shtunës në Batlër të Pensilvanisë. Një kalimtar u vra nga të shtënat, ndërkohë që zoti Trump dhe disa të tjerë u plagosën.
Fotografitë e asaj dite janë përshkruar nga disa media amerikane si të jashtëzakonshme.
Your browser doesn’t support HTML5
Por ekspertët e etikës po shqyrtojnë se si, gjatë kësaj periudhe polarizuese, mediat dhe të tjerët po përdorin mbulimin mediatik të sulmit.
“Mediat duhet të përqëndrohen tek faktet dhe ta tregojnë rrjedhën e ngjarjeve ashtu siç është. Nuk kanë nevojë të ekzagjerojnë. Nuk kanë nevojë t’u shtojnë indinjatë titujve të tyre,” thotë eksperti Sybramaniam Vincent nga Universiteti Santa Klara.
Sipas zotit Vincent, drejtor i Qendrës për gazetari dhe etikë në media pranë Universitetit Santa Klara, protretizimi i këtij momenti do të ketë ndikim në debatin politik.
“Çështjet etike bëhen të rëndësishme kur fillojmë të interpretojmë fotografinë, se çfarë paraqet ajo në teorinë rreth kulturës amerikane, politikës, armëve dhe dhunës,” shtoi ai.
Për fotoreporterin Vucci, përparësi kishte dokumentimi i ngjarjeve që po shpaloseshin para syve të tij.
“E dija që ky ishte një moment në historinë amerikane që duhej të dokumentohej. Është detyra jonë si gazetarë ta bëjmë këtë një gjë të tillë,” thotë ai.
Në orët pas sulmit, emri i zotit Trump ishte gjithandej në rrjetet sociale, sipas organizatës për analiza kibernetike ‘PeakMetrics’. Shumica e postimeve shprehnin keqardhje, por një përqindje e vogël e tyre shpërndante dezinformata dhe teori konspiracioni.
Ato përfshijnë pretendimet e pabaza që partitë politike në dyja anët janë përgjegjëse.
Analistët thonë se janë pikërisht mediat që kanë rolin e rëndësishëm për të dalluar faktet nga trillimet.
“Nuk ka dëshmi për asnjërën nga këto teori konspiracioni, por ato reflektojnë pretendimet që po shpërndahen në këtë klimë shumë të polarizuar dhe emocionale që po mbizotëron pas përpjekjes për atentat,” thotë gazetari i Associated Press, David Klepper.
Zoti Trump iu kthye angazhimeve të tij publike të hënën, në Kuvendin Kombëtar Republikan në Miluoki, ku fotografia e famshme tani është bërë pjesë e bluzave të pjesëmarrësve.