Serbi, vritet një pjesëtar i policisë – sulmuesi dyshohet të jetë shqiptar i Kosovës

  • Leonat Shehu

Autoritetet në Serbi njoftuan të enjten se një pjesëtar i policisë është vrarë dhe një tjetër është plagosur gjatë natës në Loznicë, në perëndim të Serbisë afër kufirit me Bosnjën e Hercegovinën.

Ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiç, tha se vrasja ndodhi ndërsa policia ndaloi një makinë me targa të qytetit të Tutitnit në jug të Serbisë, në të cilin ndodheshin dy persona. Njëri nga udhëtarët nuk iu bind urdhrit të policisë për të hapur një çantë që mbante në krah dhe qëlloi me revole mbi pjesëtarët e policisë serbe.

“Policia ka gjetur një pasaportë të lëshuar nga institucionet e Kosovës në emër të Artan Hajrizit i lindur në vitin 1991 dhe një letërnjoftim po më ketë emër të lëshuar nga autoritetet gjermane”, tha ministri serb.

Ministri Daçiç i tha televizionit shtetëror serb se ka dyshime të arsyeshme se bëhet fjalë për vepër terroriste dhe ekziston dyshimi i bazuar se sulmi vjen nga strukturat shqiptare nga Kosova. "Po përcaktojmë nëse është personi të cilit i kemi gjetur dokumentet apo është vëllai i tij që ka ikur nga burgu në Kosovë”, tha ai.

Autoritetet në Serbi thanë se kanë angazhuar forca të shumta të policisë si dhe dronë e helikopterë në kërkim të sulmuesit.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tha se përmes zyrës së saj ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me deklarimet e autoriteteve serbe.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se organet e sigurisë po i grumbullojnë informacionet lidhur me ngjarje në Serbi

“Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, tha ai.