Izraeli sulmon nga ajri militantët e Hezbollahut në pjesën jugore të Libanit

Forcat izraelite kryen sulme ajrore të mërkurën në pjesën jugore të Libanit, operacioni më i fundit që kishte në shënjestër militantët e Hezbollahut.

Ushtria izraelite tha se sulmet e saj u përqendruan në infrastrukturën e Hezbollahut dhe se forcat izraelite kishin përdorur gjithashtu zjarr artilerie për t'iu përgjigjur kërcënimeve të militantëve të këtij grupi në zonë.

Hezbollahu gjithashtu lëshoi raketa në drejtim të Izraelit. Ushtria izraelite bëri të ditur se kishte arritur të interceptonte disa prej tyre, ndërsa të tjerat kishin rënë në zona të hapura dhe nuk kishin shkaktuar viktima apo dëme materiale.

Gjatë një fjalimi të mërkurën udhëheqësi i Hezbollahut Sayyed Hassan Nasrallah tha se grupi militant do të sulmonte zona të reja në Izrael, nëse forcat izraelite do të vazhdonin siç tha të vrisnin civilë.

Të martën si pasojë e sulmeve izraelite në Libanin jugor u vranë pesë civilë sirianë.

Përplasjet ndërkufitare mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë ngritur shqetësime mbi mundësinë e zgjerimit të konflikt në rajon ndërsa forcat izraelite po luftojnë gjithashtu kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Pentagoni njoftoi se të martën Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, gjatë së cilës diskutuan mbi luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Pentagoni tha se zoti Austin "ripohoi dëshirën e përbashkët për të siguruar që Hamasi të pësojë humbje të qëndrueshme e për të siguruar lirimin e sigurt të të gjithë pengjeve që mbahen rob nga grupi militant".

Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari po përpiqen të negociojnë një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, që përfshin lirimin e pengjeve, ndalimin e luftimeve dhe një rritje të ndihmave humanitare për civilët palestinezë.

Zyra e zotit Gallant tha se shefi i mbrojtjes izraelite i tha zotit Austin se operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza "kanë çuar në kushtet e nevojshme për të arritur një marrëveshje për kthimin e pengjeve, gjëja më e rëndëshme”.

Gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 në pjesën jugore të Izraelit, Hamasi vrau 1200 persona dhe mori peng rreth 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me operacione në Gazë, që deri tani kanë shkaktuar vdekjen e mbi 38 mijë personave, sipas ministrisë së Shëndetësisë në rajonin e kontrolluar nga grupi militant.

Gati tre të katërtat e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës janë të zhvendosur dhe pothuajse e gjithë popullata është në rrezik nga uria, sipas Kombeve të Bashkuara.