Shkodër, arrestohen 12 pjesëtarë të grupit kriminal që kultivonte bimë narkotike

  • Pëllumb Sulo

kanabis

Në Shkodër, 12 pjesëtarë të një grupi të stukturuar kriminal, i cili merrej me kultivimin e bimëve narkotike, u arrestuan nga forcat e policisë gjatë operacionit të koduar policor “Oblika”.

Ndaj 10 prej tyre Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa për dy të tjerë “Arrest në shtëpi”.

Të arrestuarit janë banorë të Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Tiranës. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përmes një njoftimi bëri të ditur se hetimi dhe procesimi penal i këtij grupi lidhet me dy ngjarje kriminale të vitit 2022; njëra në Njësinë Administrative te Oblikës, ku policia zbuloi rreth 246 kilogram kanabis dhe asgjësoi 32 mijë bimë narkotike dhe tjetra në Njësinë Administrative Rrethina, ku në një banesë u gjetën 86 kilogrampë lëndë narkotike dhe disa gra që punonin.

12 të arrestuarit akuzohen për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në formën e bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ky është grupi i parë, i kultivuesve të bimëve narkotike, që arrestohet në rajonin e Shkodrës, rajon ky që cilësohet si zona me shtrirjen më të gjërë të kultivimit të bimëve narkotike.

Prej disa muajsh, në këtë zonë, forcat e policisë, të mbështetura me dronë dhe helikopterë, po zhvillojnë operacionin e koduar “Alpe të Pastra “ dhe “Territor i pastër”, duke asgjësuar mijëra bimë narkotike.