Të martën në disa pjesë të rripit të Gazës u zhvilluam luftime mes forcave izraelite e grupit militant Hamas. Zyrtarët palestinezë të ministrisë së Shëndetësisë, e cila kontrollohet nga Hamasi, bënë të ditur se të paktën 30 persona u vranë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në pjesën jugore dhe qendrore të rajonit.
Grupi militant islamik akuzon Izraelin për shtimin e sulmeve në Gazë, në një përpjekje siç thotë, për të penguar ndërmjetësit arabë dhe të Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje armëpushimi. Izraeli thotë se po kërkon të çrrënjosë luftëtarët e Hamasit.
Në Rafah, një qytet kufitar në jug të rajonit, ku forcat izraelite kanë operuar që nga muaji maj, pesë palestinezë u vranë nga një sulm ajror në një shtëpi, thanë zyrtarët e shëndetësisë. Në afërsi të Khan Younisit, u vranë tre pjestarë të një familjeje, burri, gruaja dhe dy fëmijët e tyre.
Më vonë të martën, në një sulm ajror izraelit ndaj një makine në Khan Younis u vranë të paktën 13 palestinezë dhe u plagosën 26 të tjerë .
Sulmi ndodhi pranë një zone me çadra, ku po strehohen familjet e zhvendosura tha ministria e Shëndetësisë.
Në kampin historik Nuseirat në Gazën qendrore, të paktën katër palestinezë u vranë nga bombardimet dhe sulmet ajrore në Gazën qendrore. Një sulm ajror izraelit vrau katër persona në Sheikh Zayed në veri të Gazës, thanë zyrtarët e shëndetësisë.
Ushtria izraelite tha se po vazhdon operacionet në Rafah "bazuar në informacione zbulimi" dhe se sulmet ajrore kishin në shënjestër militantët, tunelet dhe infrastrukturën ushtarake të Hamasit.
Forcat ajrore izraelite thanë se kishin goditur rreth 40 objektiva në të gjithë rajonin.
Krahët e armatosur të Hamasit dhe Xhihadit Islamik, një aleat i Hamasit, thanë se luftëtarët e tyre kishin sulmuar forcat izraelite me raketa antitank dhe mortaja në disa zona.
Krahu i armatosur i Xhihadit Islamik tha se kishte gjuajtur raketa në Sderot në jug të Izraelit. Nuk u raportua për viktima apo dëme serioze.
Izraeli u zotua të zhdukë Hamasin pasi militantët e tij vranë 1200 persona dhe morën mbi 250 të tjerë peng në një sulm në jug të shtetit hebre më 7 tetor të vitit të kaluar.
Mbi 38 mijë palestinezë janë vrarë gjatë ofensivës izraelite në rajon sipas të dhënave të grupit militant, që nuk bën një ndarje mes viktimave civile dhe militantëve. Izraeli thotë gjithashtu se 326 ushtarë të tij janë vrarë në Gazë.