Hovenier: Mbështesim popullin e Kosovës – kemi mospajtime me qeverinë

US/Kosovo

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha të hënën se disa nga zgjidhjet politike të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, e kanë bërë më të vështirë përmbushjen e synimeve të përbashkëta.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në komunën e Gjakovës në perëndim të vendit, i pyetur nga gazetarët rreth marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Kosovën.

“Siç e kam thënë shpesh, ne kemi qenë me popullin e Kosovës, jemi dhe do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që ne do të pajtohemi me çdo zgjidhje nga çdo qeveri e Kosovës. Qeveria amerikane dhe të gjithë partnerët tanë si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Bashkimi Evropian, kanë vlerësuar se disa nga zgjidhjet politike të qeverisë së kryeministrit Kurti e kanë bërë më të vështirë përmbushjen e gjërave që ne synojmë së bashku”, tha ai.

Lexoni edhe këtë Hovenier: Kosova mund të përparojë vetëm me përkrahjen e SHBA-së, duhet të marrë parasysh shqetësimet tona

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar disa herë Kosovën për mungesë të bashkërendimit në veprimet që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe trajtimin e problemeve në veriun e Kosovës, duke theksuar se kjo ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet tyre.

Qeveria e Kosovës mohon të ketë rënie të shkallës së partneritetit.

Ambasadori Hovenier, theksoi sot se ligjet e Kosovës duhet të përputhen me standardin evropian, duke iu referuar miratimit të ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, javën e kaluar nga parlamenti i Kosovës, mes kundërshtimeve të opozitës, Bashkimit Evropian, shoqatave të gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile.

“Këshilla e qeverisë amerikane për qeverinë e Kosovës është që të sigurohet se kur miraton ligje të përputhet me standardet evropiane sepse do ta lehtësojë atë proces që ne të gjithë duam ta shohim të ndodhë – Kosovën që përparon drejt Bashkimit Evropian. Këndvështrimi ynë është shumë i qartë, Kosova duhet të jetë një ditë anëtare e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe organizatave të tjera evropiane prandaj nuk është e mençur të ecet përpara me ligje që pikërisht ato institucione evropiane si Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, OSBE-ja kanë vlerësuar se mund të mos përputhen tërësisht me standardin evropian”, tha ambasadori Hovenier.

Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave mes tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre nga KPM-ja dhe dënime me gjoba të rënda për mediat që kryejnë shkelje ligjore.

Lexoni edhe këtë Kosovë, miratohet projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave mes kundërshtimesh të ashpra

Projektligji i ishte nënshtruar një vlerësimi të Bashkimit Evropian i cili kërkoi mes tjerash qartësimin e kërkesave për licencimin dhe regjistrimin e mediave në përputhje me standardet evropiane dhe qartësimin e sanksioneve dhe gjobave ndaj tyre.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë shprehën shqetësimin për mospërfshirjen rekomandimeve ndërkombëtare.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e vlerësoi atë si goditje ndaj lirisë së medias dhe tentim për disiplinim e kontrollimin e tyre.

Qeveria e Kosovës tha ndërkaq se ligji “sjell barazi dhe konkurrencë të shëndoshë në treg sepse në plotni përcjell direktivën për Shërbimet e Mediave Audiovizuele të Bashkimit Evropian” duke theksuar se gjobat e parapara janë harmonizuar me ligjin në fuqi për kundërvajtjet.

Për të hyrë në fuqi, pas miratimit në parlament projektligji duhet të nënshkruhet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Por, partitë opozitare në vend kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Media online në Kosovë aktualisht vet rregullohet nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara duke u mbështetur në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.