Presidenti Biden bën thirrje për unitet, pas përpjekjes për atentat ndaj zotit Trump

Presidenti Biden duke folur nga Shtëpia e Bardhë pas sulmit ndaj ish-presidentit Trump (14 korrik 2024)

Presidenti Joe Biden dënoi përpjekjen për atentat ndaj kundërshtarit të tij republikan Donald Trump të dielën. Ai tha se ishte i lehtësuar që gjendja shëndetësore e zotit Trump po përmirësohej pas plagëve të marra në sulmin e së shtunës.

Në deklaratën e tij nga Shtëpia e Bardhë, presidenti tha se do t’i drejtohet popullit amerikan të dielën në mbrëmje mbi nevojën për të qenë të bashkuar. Ai tha se ka urdhëruar një hetim të pavarur mbi atë se çfarë ndodhi gjatë tubimit zgjedhor të zotit Trump në Pensilvani.

“Në Shtetet e Bashkuara nuk ka vend për dhunë, për asnjë formë dhunë. Përpjekja për atentat është kundër çdo parimi që mbrojmë ne si komb”, tha ai.

Presidenti Biden i shoqëruar nga nënpresidentja Harris dhe prokurori i përgjithshëm Garland (14 korrik 2024)

Presidenti Biden i bëri deklaratat në Shtëpinë e Bardhë pasi u informua mbi rezultatet e deritanishme mbi hetimet për ngjarjen. Ai tha se ka kërkuar që hetimi të jetë "i plotë dhe i shpejtë" dhe kërkoi që të mos "bëhen supozime" në lidhje me shkaqet e ngjarjes, por që gjithçka t’u lihej në dorë autoriteteve.