Mbi 70 të vrarë nga sulmet izraelite në Khan Younis, objektiv komandanti i Hamasit

Aftermath of an Israeli strike at a tent camp in Al-Mawasi area in Khan Younis

Mbi 70 persona u vranë pas sulmeve izraelite në Khan Younis, ndërsa forcat izraelite ndërmorën një operacion për të vrarë një nga komandantët e Hamasit, Mohammed Deif, që besohet se është dhe planifikuesi i sulmit të 7 tetorit të një viti më parë ndaj shtetit hebre. Gjatë sulmit në jug të Izraelit u vranë rreth 1200 persona dhe u morën peng rreth 250 të tjerë. Sulmi u bë shkak për fillimin e konfliktit në Gazë.

Your browser doesn’t support HTML5

Mbi 70 të vrarë nga sulmet izraelite në Khan Younis, objektiv komandanti i Hamasit

Forcat izraelite njoftuan se kishin kryer sulme ajrore në jug të Gazës me synim eleminimin e një prej komandantëve të grupit militant Hamas, Mohammed Deif. Zyrtarët ushtarakë të këtij vendi thanë se mbetej ende e paqartë nëse Deif ishte vrarë ose jo.

Ndërkohë zyrtarët lokalë të ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga grupi militant njoftuan se sulmet izraelite shkaktuan vdekjen e 70 personave dhe dhjetra të plagosur.

Besohet se Deif ishte planifikuesi kryesor i sulmit të 7 tetorit në Izrael ku humbën jetën më shumë se 1200 persona dhe u morën peng mbi 250 të tjerë. Ai kryesonte listën e personave më të kërkuar nga Izraeli për vite me radhë dhe besohet se u ka shpëtuar tentativave të shumta për vrasje në të kaluarën.

Ende nuk është konfirmuar nëse komandanti i Hamasit ishin në mesin e viktimave, por një zëdhënës i grupit militant në Bejrut i tha agjencisë së lajmeve AP se pretendimet izraelite ishin të pabaza.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që drejtohet nga Hamasi, tha se të paktën 289 persona u plagosën në sulm dhe se shumë prej vitkimave dërguar në spitalin Nasser aty pranë. Gazetarët e Associated Press thanë se kishin numëruan mbi 40 trupa.

“Ne ishim ulur në atë zonë. Ajo u godit dhunshëm nga ushtria izraelite me shtatë deri në tetë raketa. Kjo ishte një zonë e sigurt, të gjithë jemi shpërngulur këtu nga Xhebalija”, thotë një dëshmitar.

Të tjerë dëshmitarë thanë gjithashtu se sulmi ndodhi në një zonë të cilësuar të sigurt nga forcat izraelite, që shtrihet nga Rafahu verior deri në Khan Younis. Rripi bregdetar është vendi ku qindra mijëra palestinezë janë vendosur në kërkim të sigurisë, duke u strehuar kryesisht në tenda të improvizuara.

Sipas një zyrtari izraelit, sulmi u krye brenda një zone të rrethuar në Khan Younis që drejtohej nga Hamasi, por nuk dha detaje mbi vendndodhjen e saktë.

Sulmi i fundit i përgjakshëm vjen ndërsa ndërmjetësit amerikanë, të Egjiptit dhe Katarit vazhdojnë bisedimet me Izraelin dhe Hamasin për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi që do të zbatohej në tre faza e do të përfshinte edhe lirimin e pengjeve në Gazë.

Izraeli nisi fushatën ushtarake në Gazë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, gjatë të cilin militantët sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1200 persona, kryesisht civilë dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Që atëherë, ofensivat tokësore dhe bombardimet izraelite kanë vrarë më shumë se 38300 persona në Gazë dhe kanë plagosur më shumë se 88 mijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të këtij territori. Ministria nuk bën dallim midis luftëtarëve dhe civilëve në shifrat që jep.

Më shumë se 80% e 2,3 milionë banorëve të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe shumica po përballen me kushte të vështira dhe me mungesë të ushqimeve.

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri sërish apel për të dhënë financime për agjencinë e OKB-së që ndihmon refugjatët palestinezë.

Sipas tij agjencia ka fonde për të vijuar punën deri në muajin gusht. Zoti Guterres kritikoi Izraelin që po i detyron palestinezët të zhvendosen siç tha ai vazhdimisht përmes zonash të shkatërruara dhe duke u përballur me vdekjen.