Sot bëhen 29 vjet që kur serbët e Bosnjës sulmuan Srebrenicën, e cila ishte shpallur zonë e sigurtë nën mbrojtjen e paqeruajtësve ndërkombëtarë të Kombeve të Bashkuara dhe vranë të paktën 8,000 burra dhe djem myslimanë. Masakra në Srebrenicë përbën rastin e parë të gjenocidit në Evropë pas Holokaustit.
Your browser doesn’t support HTML5
Masakra në Srebrenicë është momenti më i përgjakshëm i luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Shpërbërja e ish Jugosllavisë i hapi rrugën pasioneve nacionaliste dhe ambicieve territoriale të serbëve të Bosnjës, duke u kthyer kundër dy grupeve tjera kryesore etnike, kroatëve dhe boshnjakëve myslimanë.
Më 11 korrik të vitit 1995, serbët e Bosnjës sulmuan Srebrenicën, duke detyruar paqeruajtësit ndërkombëtarë të tërhiqeshin nga zona e shpallur si e sigurt. Ata ndanë të paktën 8,000 burra dhe djem nga bashkëshortet, nënat dhe motrat e tyre dhe i vranë.
Ata që u përpoqën të ikin u ndoqën nëpër pyjet dhe malet që rrethojnë qytetin.
Më pas, autorët e vrasjeve hodhën trupat e viktimave në varre masive, të hapura me shpejtësi, të cilat më vonë i rihapën me buldozerë dhe i shpërndanë mbetjet mortore nëpër varreza të tjera për të fshehur gjurmët e krimeve të tyre të luftës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007 shpalli vendimin që aktet e kryera në Srebrenicë nga forcat serbe në Bosnjë përbënin gjenocid.
Serbia dhe serbët e Bosnjës e mohojnë se ngjarjet në Srebrenicë janë gjenocid, përkundër faktit që një përfundim i tillë është përcaktuar në dy gjykata të Kombeve të Bashkuara.
Udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës gjatë luftës Radovan Karaxhiç dhe komandanti i tij ushtarak Ratko Mladiç u dënuan për gjenocid në Srebrenicë nga Gjykata e posaçme e OKB-së për krime lufte në Hagë.
Gjatë këtij viti, Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë që caktoi një datë për të përkujtuar gjenocidin e vitit 1995.
Masakra në Srebrenicë është rasti i parë i gjenocidit në Evropë pas Holokaustit, vrasjes së 6 milionë hebrenjve dhe pjesëtarëve të tjerë të pakicave nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.