Tiranë, ndryshimet për Komisionet hetimore, socialistët bien në Kushtetuese

  • VOA

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë

Në Shqipëri, opozita rregjistroi një tjetër fitore, pasi të martën Gjykata Kushtetuese rrëzoi nenet që përbënin thuajse thelbin e ndërhyrjeve të njëanshme të socialistëve në ligjin për komisionet hetimore. Dy javë më parë, kjo Gjykatë shfuqizoi dhe ndryshimet ligjore që parashikonin tatimin mbi të ardhurat për profesionet e lira, të ankimuara po nga opozita.

Ligji për Komisionet hetimore u miratua në seancën e fundit të dhjetorit, vetëm me votat e shumicës parlamentare, ndërsa opozita i ishte kundërvënë me forcë, duke i konsideruar ndryshimet si një përpjekje të socialistëve për t’i hequr asaj të drejtat që ja njeh kushtetuta. Ndërhryjet ligjore ishin propozuar nga nënkryetarja e parlamentit Ermonela Felaj, me argumentin se ato reflektonin rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese dhe synonin të përcaktonin qartë rastet e ngritjes së komisioneve hetimore të cilët, sipas socialistëve, në shumicë e rasteve janë përdorur nga opozita për luftë politike.

Gjykata kushtetuese ka rrëzuar unanimisht nenin që përcakton kriteret për ngritjen e komisioneve hetimore, të cilat heqin mundësinë për të riformuluar kërkesën. “Duke lënë jashtë këtyre kritereve “formulimin alternativ” të objektit të hetimit, si një nga elementet që mundëson ngritjen e komisionit hetimor, formulimi aktual i dispozitës ligjore passjell cënimin, deri në pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së pakicës parlamentare”, shprehet Gjykata.

Një tjetër ndryshim që është rrëzuar, ka të bëjë me vendimin e ndërmjetëm për marrjen e provave në komisionet hetimore. Një parashikim i tillë, sipas Gjykatës Kushtetuese “nuk përmban garanci të plota procedurale për të garantuar të drejtën e pakicës parlamentare për kontroll efektiv parlamentar. Marrja e provave nga komisioni hetimor duhet të synojë të sjellë “dritë në errësirë”, në mënyrë që të mundësojë sqarimin e përgjegjësive politike. Vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave duhet të jetë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit provat e kërkuara nga pakica parlamentare duhet të merren. Vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve”.

Gykata ka rrëzuar po ashtu me shumicë votash, ndryshimet që parashikojnë marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve, të cilët mund të jenë thirrur prej tyre, nëse ka një procedim penal për të njejtën çështje, e po ashtu dhe me ndryshimin që lidhet dhe me të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar të dëshmojë. Gjykata Kushtetuese në këtë rast, shprehet se, “duke mbajtur në konsideratë se procedura e hetimit parlamentar ndjek qëllime të ndryshme nga ajo e procedimit penal, duke synuar qartësimin e një çështjeje për arsye politike, thekson se ky qëllim përputhet me parimin e ndarjes së pushteteve. Për sa më sipër, Gjykata arriti në këtë përfundim për shkak të paqartësisë në formulimin e këtyre parashikimeve ligjore”. Edhe sa i përket ruajtues së sekretit hetimor, Gjykata vlerëson se një gjë e tillë “mund të përmbushet nga pyetja e dëshmitarëve me dyer të mbyllura”.

Sa i takon ndryshimeve të cilat i hapin rrugë, zhvillimit të shpeshtë të seancave të mbyllura “gjykata arriti në përfundimin se, si rregull, veprimtaria e komisionit hetimor duhet të jetë publike dhe vetëm përjashtimisht ajo mund të zhvillohet me dyer të mbyllura, kur të drejtat e njeriut prevalojnë në raport me të drejtën për informim”.