Reformisti Pezeshkian fiton në zgjedhjet presidenciale të Iranit, duke mposhtur Jalilin e linjës së ashpër

Kandidati reformist Masoud Pezeshkian fitoi balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të Iranit, duke mposhtur kandidatin e linjës së ashpër Saeed Jalili. Kandidati Pezeshkian premtoi se do të afrohej me Perëndimin dhe do të lehtësojë zbatimin e ligjit të detyrueshëm të bartjes së shamisë në vend, pas vitesh sanksionesh dhe protestash që shtrënguan Republikën Islamike.

Zoti Pezeshkian nuk premtoi ndryshime rrënjësore në teokracinë shiite të Iranit, që mban udhëheqësin Suprem Ayatollah Ali Khamenei si arbitrin përfundimtar të të gjitha çështjeve shtetërore në vend.

Rezultatet e votimeve të publikuara nga autoritetet e nxorën zotin Pezeshkian si fitues me 16.3 milionë vota kundrejt 13.5 milionëve të fituara nga zoti Jalili në zgjedhjet e së premtes. Në përgjithësi, Ministria e Brendshme e Iranit tha se 30 milionë njerëz votuan në zgjedhjet e mbajtura pa vëzhgues të njohur ndërkombëtarisht.

Mbështetësit e zotit Pezeshkian, një kirurg i zemrës dhe ligjvënës prej një kohe të gjatë, dolën në rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera para agimit për të festuar, ndërsa epërsia e tij rritej ndaj zoti Jalili, një ish-negociator bërthamor i linjës së ashpër.

“Të dashur qytetarë të Iranit, zgjedhjet kanë përfunduar dhe ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë”, shkroi zoti Pezeshkian në platformën sociale X, ende e ndaluar në Iran. “Rruga e vështirë përpara nuk do të jetë e lehtë përveçse me mbështetjen, ndjeshmërinë dhe besimin tuaj. Unë ua shtrij dorën dhe betohem për nderin tim që nuk do t'ju lë vetëm në këtë rrugë. Mos më lini vetëm”.

Fitorja e tij ndodhë në një periudhë delikate për Iranin, me tensione të larta në Lindjen e Mesme për shkak të luftën Izrael-Hamas, avancimin e programit bërthamor të Iranit dhe zgjedhjet e afërta në Shtetet e Bashkuara, që mund të vënë në rrezik çdo shans për një ulje të tensionit midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Raundi i parë i votimit me 28 qershor u përshkua me pjesëmarrjen më të ulët në historinë e Republikës Islamike, që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Zyrtarët iranianë kanë vënë në dukje prej kohësh pjesëmarrjen si një shenjë mbështetjeje për teokracinë shiite të vendit, mes sanksioneve që dërrmuan ekonominë e Iranit, demonstratave masive dhe goditjeve ndaj disidencës.

Lexoni edhe këtë Zgjedhjet presidenciale në Iran, Pezeshkian dhe Jalili do të përballen në balotazh

Autoritetet vlerësojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e së premtes në 49.6 për qind, një pjesëmarrje historikisht e ulët për zgjedhjet presidenciale iraniane. Autoritetet numëruan 607,575 vota të pavlefshme në garë, që shpesh janë një shenjë proteste nga ata që ndihen të detyruar të hedhin votën, por refuzojnë kandidatët.

"Nuk pres asgjë prej tij, por jam i lumtur që vota u vuri frerin linjave të ashpra", tha punonjësja e bankës Fatemeh Babaei, e cila votoi për zotin Pezeshkian. "Shpresoj se zoti Pezeshkian mund ta kthejë administratën në një mënyrë në të cilën të gjithë njerëzit mund të ndjejnë se ka një të nesërme”.

Taher Khalili, një iranian me origjinë kurde, i cili drejton një dyqan të vogël rrobaqepësie në Teheran, ofroi një arsye tjetër shpresëdhënëse, ndërsa u shpërndante karamele kalimtarëve.

"Më në fund dikush nga vendlindja ime dhe perëndimi i Iranit erdhi në pushtet", tha ai. "Shpresoj se ai do ta bëjë ekonominë më të mirë për bizneset e vogla".

Doktori Pezeshkian, i cili flet gjuhët azeri, farsi dhe kurde, bëri fushatë për t'u afruar me shumë etni të Iranit. Ai përfaqëson presidentin e parë iranian nga Irani perëndimor në dekada, diçka që njerëzit shpresojnë se do ta ndihmojë qarkun pasi ata në Perëndim konsiderohen më tolerantë për shkak të diversitetit etnik dhe fetar në zonën e tyre.

Zgjedhjet u mbajtën mes tensioneve të larta rajonale. Në prill, Irani nisi sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit për shkak të luftës në Gaza, ndërsa grupet e milicisë që armatosen nga Teherani, si Hezbollahu libanez dhe kryengritësit Houthi të Jemenit, janë përfshirë në luftime dhe kanë përshkallëzuar sulmet e tyre.

Zgjedhjet u mbajtën pasi presidenti 63-vjeçar Ebrahim Raisi vdiq pas rrëzimit të helikopterit me të cilin po udhëtonte me 19 maj, kur u vra edhe ministri i jashtëm i vendit dhe zyrtarë të tjerë. Ai shihej si një dishepull i udhëheqësit suprem Khamenei dhe si një pasardhës i tij i mundshëm. Megjithatë, shumë njerëz e mbanin atë mend për përfshirjen në ekzekutimet në masë në Iran në vitin 1988, si dhe për rolin që luajti gjatë shtypjes së dhunshme të disidentëve pas vdekjes në vitin 2022 të Mahsa Aminit, ndërsa mbahej nga policia për shkak të mënyrës së mbajtjes së shamisë së kokës.