Midis cepit më jugor të Shteteve të Bashkuara dhe Kubës shtrihet një hapësirë ujore e quajtur Ngushtica e Floridës. Automjetet e rojes bregdetare patrullojnë në këto ujëra çdo ditë, duke kërkuar për emigrantë që përpiqen të hyjnë ilegalisht. Zërit të Amerikës iu dha mundësia ekskluzive në fillim të këtij viti, për të shoqëruar rojen bregdetare amerikane gjatë patrullimit të saj. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti, njofton për eksperiencë të veçantë.
Your browser doesn’t support HTML5
Nisja u bë nga Aeroporti Ndërkombëtar “Key West”. Udhëtimi nuk pati një destinacion të caktuar, por pati objektivin për të ndalur ata që përpiqen të kalojnë në mënyrë të paligjshme.
Roja Bregdetare amerikane patrullon ujërat midis ngushticës Key West dhe Kubës. Ata kërkojnë për emigrantët që mund të përdorin mjete detare të pasigurta, për të hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.
Zërit të Amerikës iu mundësua qasja ekskluzive për të fluturuar me ekuipazhin në një aeroplan vëzhgimi HC-144.
Në pikën e saj më të ngushtë, ngushtica e Floridës është 150 kilometra e gjerë dhe 1800 metra e thellë.
“Vijnë në anije të vogla, këtu në ujëra të rrezikshme. E kuptoj se përpiqen të shkojnë në Shtetet e Bashkuara, por ne duhet të sigurohemi që ata janë të sigurtë", thotë togeri E.J. Cunningham.
Janë në kërkim të një profili unik, diçka krejtësisht ndryshe nga një ekspeditë peshkimi apo një lundrim familjar - diçka që duket si një anije jo e sofistikuar.
“Gjetëm p.sh. një mjet lundrues që ishte sajuar nga vetëm një tufë dërrasash druri, të mbajtura së bashku me litarë dhe disa fuçi”, thotë togeri Cunningham.
Roja Bregdetare kapi një tjetër varkë të bërë vetë, pak pranë ujërave territoriale të Kubës.
"Patëm një sinjal në radar, kështu që shkuam ta shikonim dhe, sigurisht, ishte një gomone me dy persona që kishin vendosur një motosharrë në pjesën e pasme të saj, që po e përdornin si motor varke", thotë tekniku Blaine Willis.
Teknikët specialistë si zoti Willis e pikasin mjetin lundrues në radarët e tyre të specializuar dhe gjatë natës me sensorët me rreze infra të kuqe– paisje të cilat nuk lejohet t’i tregojmë në kamera.
Ekuipazhi zbulon diçka të veçantë.
Avioni rrotullohet pas dhe afrohet për një vështrim më nga afër. Ndonjëherë personeli në bord përshkruan ç’po ndodh.
“Ata thjesht po përpiqen të na shmangin. Ulen, përpiqen të fshihen, përpiqen të mbulohen me një mushama. Herë të tjera, thjesht qëndrojnë aty, ndonjëherë na tregojnë me gisht dhe përpiqen të thonë që: "Hej, ata janë atje, mund të na shohin”, thotë tekniku Robert Depe.
Këto --- dhe pamjet e tjera --- nuk janë asgjë shqetësuese. Po të kishin qenë të tilla, piloti do të lidhej me radio me personelin në det.
Togeri Samuel Krakower është oficeri komandues i anijes “Raymond Evans”, një nga tetë mjetet detare që interceptojnë varkat dhe emigrantët në ngushticat e Floridës.
Avioni e orienton anijen drejt vendndodhjes së saktë dhe anija i merr në bord personat që gjejnë.
Një natë në kuvertë u strehuan mbi njëqind kubanë, të cilët qëndruan në bord për disa ditë ndërsa përpunohej dokumentacioni për ta. Shumica u kthyen mbrapsht në Kubë.
"Natë shumë e lodhshme, por padyshim, disa nga ato varka po fundoseshin dhe në të vërtetë në atë pikë ishte operacion kërkim-shpëtimi", thotë togeri Krakower.
Togeri Krakower gjithashtu patrullon në det duke kërkuar për anijet nga Haiti.
“Bëmë një ndalim me një tjetër mjet të Rojes Bregdetare; ishin 94 persona në një anije. Pra, numrat janë thjesht më të mëdhenj kur bëhet fjalë për anije nga Haiti, krahasuar me 20 ose 30 persona që mund të gjenden në një mjet nga Kuba”, thotë ai.
Vitin e kaluar, 1,800 haitianë dhe mbi 6,600 kubanë u rikthyen drejt vendeve të tyre.
Në dete dhe në ajër --- një vështrim në atë që ndodh --- balancimi i sigurisë me ligjet kufitare.