MOSKË – Shtetasi amerikan i lindur në Rusi, Robert Woodland u shpall fajtor të enjten nga një gjykatë në Moskë për akuza që lidhen me trafik droge dhe u dënua me 12.5 vjet burgim në një burg të sigurisë së lartë, sipas zyrtarëve dhe avokatëve të tij.
Ai u shpall fajtor për tantativën për të kontrabanduar sasi të mëdha drogash të jashtëligjshme si pjesë e një grupi të organizuar, sipas një deklarate të zyrtarëve gjyqësorë. Avokatët e tij u thanë gazetarëve se ata do të apelojnë vendimin.
Avokati Stanislav Kshevitsky shtoi se zoti Woodland po vuan nga çështje të shëndetit mendor, por nuk specifikoj se për çfarë bëhet fjalë. Ai tha se gjykata nuk mori parasysh këto rrethana.
Mediat ruse raportuan se emri i tij përkon me atë të një shtetasi amerikan të intervistuar në vitin 2020, i cili tha se kishte lindur në rajonin Perm në vitin 1991 dhe se ishte adaptuar nga një çift amerikan si 2 vjeçar.
Ai kishte thënë se ka udhëtuar drejt Rusisë për ta gjetur nënën dhe se pas një kohë e kishte takuar atë në një program televiziv para se të vendoste të kthehej për të jetuar në Rusi. Agjencia ruse Interfax citoi zyrtarët e gjykatës duke thënë se zoti Woodland është po ashtu shtetas rus.
Arrestimi i amerikanëve në Rusi po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë ndërsa marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit po përkeqësohen si gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Uashingtoni akuzon Moskën se po vendos në shënjestër shtetasit e saj dhe po i përdor ata për qëllime politik, por zyrtarët rusë këmbëngulin se të gjithë ata kanë shkelur ligjin.
Disa janë shkëmbyer me rusët që mbahen në Shtetet e Bashkuara, ndërsa për të tjerët, gjasat që të lirohen si pjesë e shkëmbimit janë më pak të qarta.
Zoti Woodland është arrestuar në janar. Në atë kohë, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ishte në dijeni të raporteve për arrestimin e një shtetasi amerikan, por përpos që theksoi se “siguria e shtetasve amerikanë nëpër botë është përparësia jonë më e lartë”, nuk komentoi asgjë më shumë për rastin, duke iu referuar çështjeve të privatësisë. Ambasada amerikane në Moskë kishte bërë deklarata të ngjashme.
Nuk ka ende reagim nga zyrtarët amerikanë për vendimin e gjykatës.