Ushtria ukrainase tha të enjten se trupat e saj u tërhoqën nga një pjesë e Çasiv Jarit në rajonin lindor të Donetskut, një ditë pasi Rusia njoftoi se ushtria e saj mori kontrollin e një lagjeje në këtë qytet strategjik.
“Ishte e pamundur mbajtja e lagjes pas futjes së armikut në të, sepse kërcënohej jeta dhe shëndeti i ushtarëve tanë. Pozicionet mbrojtëse të ushtarëve tanë u shkatërruan”, tha zëdhënësi i ushtrisë Nazar Voloshyn për një televizion ukrainas.
“Komanda vendosi të tërhiqet në pozicione më të mbrojtura dhe më të përgatitura, por edhe aty armiku vazhdon të sulmojë”, shtoi ai.
Çasiv Jari ka një terren të lartë, që forcat ruse mund ta përdorin si pikë grumbullimi për të vazhduar ofensivën drejt qyteteve të tjera të Ukrainës, nëse arrijnë të marrin kontrollin e plotë të qytetit.
Përpjekjet e fundit ruse për të hapur një front të ri pranë qytetit të Kharkivit në verilindje të Ukrainës janë penguar, por presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se vonesat e dërgesave amerikane me ndihma ushtarake kanë shkaktuar probleme të mëdha për ushtrinë e vendit të tij.
“Kemi 14 brigada pa pajisje, që nuk kanë armët e duhura”, tha presidenti Zelenskyy në një intervistë për agjencinë Bloomberg. “Dërgesat po vijnë, por ato po vijnë ngadalë, për fat të keq”, shtoi ai.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se Moska nuk do të shpallë një armëpushim në Ukrainë pa parë veprime “të pakthyeshme” Kievit, që konsiderohen të pranueshme nga Kremlini.
Më herët të enjten, ushtria ukrainase tha se rrëzoi 21 nga 22 dronët me të cilët sulmoi Rusia gjatë natës gjithandej në Ukrainë, duke përfshirë edhe kryeqytetin Kiev.
Të paktën shtatë persona u plagosën dhe u shkatërruan ndërtesa banimi, dyqane, klube sporti dhe një tubacion gazi thanë autoritetet. Një sulm rus të mërkurën në rajonin Poltava kundër instrastrukturës së gazit vrau një person dhe plagosi tre të tjerë, njoftoi të enjten ministria ukrainase e energjisë.
Nga ana tjetër, ministria ruse e mbrojtjes tha të enjten se pengoi sulmet me dron të Ukrainës mbi rajonet Belgorod, Briansk dhe Tambov.
Një ditë më parë Pentagoni njoftoi një paketë ndihme me dy pjesë për Ukrainën, në vlerë të pak mbi 2.3 miliardë dollarëve.
Ndihma fillestare përfshin raketa dhe artileri nga rezervat amerikane, me vlerë deri në 150 milionë dollarë.
Pjesa e dytë e paketës, me vlerë prej rreth 2.2 miliardë dollarësh, do të shfrytëzohet për blerjen e raketave për sistemet e mbrojtjes “Patriot” dhe sistemit të përparuar “NASAMS”.
Njoftimi zyrtar për këtë paketë ndihme vjen një ditë pas takimit të sekretarit amerikan të mbrojtjes, Lloyd Austin me ministrin ukrainas të mbrojtjes, Rustem Umerov në Pentagon.
"Ukraina është në një luftë të vështirë", i tha zoti Austin homologut Umerov para takimit. “Mos u gaboni. Ukraina nuk është vetëm dhe ndihma e Shteteve të Bashkuara nuk do të lëkundet kurrë”, shtoi ai.
Paketa e re e ndihmës vjen një javë para takimi të nivelit të lartë të NATO-s në SHBA, një ngjarje që në krye të programit të saj ka rritjen e mbështetjes ushtarake për Ukrainën përballë sulmit rus.
“Nëse takimi i NATO-s duhet të dëshmojë diçka, ajo duhet të jetë ndihma në planin afatgjatë”, tha për Zërin e Amerikës Charles Kupchan ekspert nga radhët e Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.