Uashingtoni, ku gjendet koleksioni më i madh në botë i veprave të Uilliam Shekspirit, ka zbuluar së fundmi për publikun një thesar, që shumica nuk e kanë parë kurrë.
Biblioteka Folger për Shekspirin rihapi dyert pas një rinovimi, që zgjati për 4 vjet, duke i dhënë mundësi publikut të shohë për herë të parë pjesët më të çmuara të koleksionit të tij. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Adamas, vizitoi librarinë dhe na tregon më shumë mbi veprat e rralla, që mund të shihen atje.
Your browser doesn’t support HTML5
Biblioteka Folger për Shekspirin, e cila gjendet në Uashington, ka koleksionin më të madh në botë të veprave letrare shekspiriane - rreth 60,000 dorëshkrime, 90,000 ilustrime grafike dhe rreth 280,000 libra të shtypur. Biblioteka rihapi dyert pas një rinovimi, që zgjati për 4 vjet.
“Tani kemi në dispozicion një hapësirë gjigande për ekspozitën dhe e gjithë kjo hapësirë na jep mundësi të shfaqim librat në një mënyrë, që nuk e kemi bërë kurrë më parë, sepse kur ekspozohen libra të vjetër, duhet bllokuar e gjithë drita”.
Thesari më i çmuar i kësaj biblioteke është libri i parë që mblodhi për herë të parë veprat e Uilliam Shekspirit, një libër i rrallë i 1623. Vetëm 230 kopje të tij ekzistojnë ende. 5 mbahen në Bibliotekën e Britanisë në Londër, ndërsa Biblioteka Folger ka 82 kopje.
Pranë këtyre kopjeve të rralla është një shtypshkronjë e ngjashme me atë të shekullit të 17-të, si dhe objekte që lidhen me jetën e Shekspirit dhe ndikimin, që ai pati në kulturën botërore, nga portreti i Mbretëreshës Elizabeth deri te një kartolinë ku shfaqet Ira Eldredge, aktori i parë me ngjyrë që ka luajtur rolin e Otellos në mesin e shekullit të 19-të në Angli.
Koleksioni gjendet në Shtetet e Bashkuara falë manjatit të naftës Henry Folger dhe bashkëshortes së tij Emily, të cilët filluan të mbledhin botime dhe libra të Shekspirit në fund të viteve 1880. Në vitin 1932 ata hapën një bibliotekë në Kapitol, pranë Kongresit dhe Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara.
Sot, biblioteka që mban emrin Folger vazhdon të koleksionojë libra të vjetër në anglisht dhe materiale të ndryshme për Uilliam Shekspirin. Michael Witmore, drejtori i bibliotekës, thotë se veprat vazhdojnë të kenë rëndësi dhe domethënie në botën e sotme.
“Arti dhe shkencat humane duhet të jenë pjesë e bisedës mbi atë se cilët jemi ne si qytetarë në një demokraci multi-kulturore dhe shumë-racore, një kulturë që është komplekse, që përballet me probleme dhe sfida të reja. Dhe një shkrimtar si Shekspiri prek drejtpërdrejt kaq shumë çështje, që na përcaktojnë dhe me të cilat ne vazhdojmë të përballemi”.
Ekspozita përmban gjithashtu botimin e parë të ndoshta librit më të famshëm të ndaluar të shekullit të 17-të "Bashkëbisedim mbi dy sistemet kryesore të botës" nga astronomi i njihur Galileo Galilei, me autografin e autorit.
Po ashtu është ekspozuar edhe libri i parë për arushin Winnie-the-Pooh, i firmosur nga autori Alan Milne, si dhe dorëshkrimi i Zhyl Vernit për klasikun e fantashkencës, "Udhëtim në Qendrën e Tokës".
Mënyra se si duket nga brenda biblioteka është po aq shekspiriane sa dhe veprat që mban; dritaret gotike, shandanë, lule dhe bimë, që përmenden në dramat e Shekspirit, si livandë, rozmarinë dhe manjola.