Britania e Madhe mban zgjedhjet parlamentare

Një grua kalon pranë një vendvotimi në Edinburg, Skotlandë, më 4 korrik, 2024/Reuters

Votuesit në Britani të Madhe votojnë sot në zgjedhje parlamentare që pritet të largojnë nga qeverisja partinë konservatore pas katërmbëdhjetë vitesh në pushtet. Sipas anketave, Partia Laburiste pritet të fitojë bindshëm në një sfond të zymtë të gjendjes ekonomike, mosbesimit ndaj institucioneve dhe një strukture të rrënuar sociale ndërkohë që votuesit po kërkojnë ndryshim pas një periudhe që u shoqëruar me përplasje të brendshme dhe përçarje që çuan në ndryshimin e pesë kryeministrave brenda një periudhe tetëvjeçare.

Pas një dekade e gjysmë të qeverisjes nga konservatorët, votuesit britani po votojnë të enjten për të zgjedhur se kush do të qeverisë Britaninë e Madhe. Këto janë zgjedhjet e para që po mbahen që nga viti 2019 dhe anketat gjatë tërë fushatës në gjashtë javët e fundit kanë treguar epërsi të thellë të Partisë Laburiste të qendrës së majtë, e cila për herë të fundit ishte në pushtet në vitin 2005.

Votuesit shprehën shpresë për ndryshim dhe qëndrueshmëri ndërkohë që zgjodhën 650 ligjvënësit, në zgjedhjet parlamentare për një mandat pesë vjeçar.

“Kam shpresë, por nuk jam shumë optimiste. Po mundohem të jem optimiste, por jo të kem shpresa shumë. Dua një ekonomi më të mirë për të dobëtit, një qeveri më të mëshirshme dhe njerëz më të sinqertë,” thotë votuesja Leah Stewart.

“Unë jam optimist. Ishin 10, 12, 14 vite të tmerrshme andaj po ndihem mjaft besimplotë,” thotë votuesi Kingsley Craven.

Nëse rezultati i zgjedhjeve pasqyron epërsinë e anketave, udhëheqësi laburist, 61 vjeçari Keir Starmer mund të jetë kryeministri i ardhshëm i Britanisë.
Zoti Starmer, një ish avokat që përqendroi fushatën e tij në gjendjen e sektorit të shëndetësisë, arsimit dhe kostos së jetesës, do të përballet me një mori sfidash në shumë fronte dhe burime të kufizuara për t’u dhënë atyre përgjigje.

Punonjësja sociale Natalie Wills, thotë se është koha për ndryshim.

“Shërbimet lokale janë shkatërruar nga konservatorët dhe duhet t’i japim një mundësi zotit Keir Starmer. Kam shpresë se do të ketë përmirësim nga ajo që kemi përjetuar në 14 vitet e fundit gjatë të cilave shërbimet janë dobësuar tërësisht,” thotë votuesja Natalie Wills.

Konservatorët kanë pranuar se laburistët duket se po shkojnë drejt fitores dhe u kanë kërkuar votuesve që të mos i japin partisë një "supershumicë". Partia konservatore përballet me kritika për rritjen e kostos së jetesës dhe krizës në Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë.

“Asgjë nuk eci si duhet në 14 vitet e fundit dhe mendoj se është shumë me rëndësi të kemi një rezultat të drejtë. Po shoh mundësi për një ndryshim të thellë,” thotë votuesi James Erskine.

“Ndryshim. Na duhet ndryshimi. Nuk do të gjykoj qeverinë aktuale, por mendoj se me të vërtetë na duhet ndryshim. Për mua, këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë me politikat, por mundësi për të krijuar më shumë stabilitet, pragmatizëm dhe për të sjellë në qeveri njerëz të arsyeshëm,” thotë votuesi Roberto Martins.

40,000 qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në 10 të natës me orën lokale. Rezultatet pritet të shpallen në orët e para të së premtes.