Në Tiranë autoritetet publikuan sot strategjinë e re të mbrojtjes sociale për 5 vitet e ardhshme, që synon të mbështesë fëmijët, gratë, të rinjtë dhe familjet në vështirësi.
Diplomatë dhe donatorë perëndimorë kërkuan, gjatë një konference të përbashkët, arritjen e standardeve europiane për mbrojtjen sociale, larg korrupsionit, dhe punësim për të rinjtë, si një mjet kryesor në luftën kundër varfërisë dhe pabarazive.
Përmes skemave të mbështetjes financiare, strategjia e re e mbrojtjes sociale deri në vitin 2030 publikuar sot synon zbutjen e varfërisë për njerëzit në nevojë si dhe përmirësimin e jetesës së personave me aftësi të kufizuara, për t’i mbrojtur ata nga rreziqet dhe krizat.
Your browser doesn’t support HTML5
Drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato, tha se anëtarësimi në BE nuk ka të bëjë vetëm me përshtatjen e ligjeve europiane, por edhe me besimin në vlerat e përbashkëta si bashkëjetesa e drejtë shoqërore, duke vendosur njeriun në qendër të çdo kujdesi, si të drejtat e tij njerëzore, kushtet e punës dhe mbrojtjen sociale.
“Si kudo në Europë, edhe qytetarët shqiptarë presin të kenë shërbime publike cilësore, të arritshme, efikase dhe pa korrupsion. Qëllimi është të ngrihet një sistem bashkëkohor i mbrojtjes sociale, me përfitime të njëjta për gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe sidomos për ata më të pambrojturit, që janë në rrezik, me paaftësi të ndryshme në qytete dhe zona të largëta. BE mbështet këtë strategji me financim të drejtpërdrejtë, duke nxitur politikat kundër papunësisë, duke mbështetur punësimin e të rinjve, mbrojtje sociale, shkollim, shërbime punësimi për grupet në rrezik, në varfëri dhe në përjashtim social”, tha ambasadori i BE-së Gonzato.
Autoritetet shqiptare të kësaj fushe pohuan se strategjia e re është një udhërrëfyes në fushën e mirëqenies sociale, me synimin që askush të mos mbetet pas, por kushdo të mund të ngrejë një jetë në mirëqenie, në kushte të barabarta pa dallim gjinie, statusi ekonomik e social apo bindjesh politike.
“Kemi një dokument që do të shërbejë për zbutjen e varfërisë si dhe fuqizimin e mëtejshëm shoqëror, ekonomik e politik edhe të grave. Strategjia e re kombëtare për mbrojtjen sociale 2024-2030 është ambicioze dhe sjell disa risi, të cilat do të kontribuojnë drejt vizionit tonë të përbashkët”, tha zonja Koçiu.
Në strategjinë e publikuar sot sigurohet mbrojtje për fëmijët në radhë të parë, si dhe vajza e djem, burra e gra, që të përballin sfida e vështirësi nga aftësitë e kufizuara e deri te varfëria dhe përjashtimi social.
"Mbrojtja sociale është një e drejtë njerëzore, dhe nuk ka të bëjë me bamirësinë, dhembshurinë, por lidhet me parimet themelore të barazisë dhe mosdiskriminimit, pjesëmarrjen, transparencën dhe llogaridhënien. Strategjia e re flet drejtpërdrejt për qëllimet kryesore si fundi i varfërisë, barazia gjinore, dhe një seri problemesh të tjera dhe jemi të kënaqur që autoritetet angazhohen përmes kësaj strategjie, që të trajtojnë këto çështje në vazhdim”, thotë koordinatorja e përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney.
Sipas përfaqësuesit të UNICEF-it në Shqipëri, Murat Shahin, kjo strategji e re është fillimi për më shumë ecuri në rrugëtimin europian të Shqipërisë, sepse ajo sjell një vizion të fuqishëm sa i takon mbështetjes së fëmijëve si dhe kujdesit për ta
“Ne shpresojmë të vendoset modeli i BE-së për garantimin e fëmijëve për të trajtuar varfërinë dhe përjashtimin social, dhe ky është një fillim i ri për vendin”, tha zoti Shahin. Ai kujtoi se nga viti 2015 Garancia Europiane për Fëmijët përmban programe të investimeve për ta, për t'iu larguar varfërisë dhe përjashtimit social, kujdes shëndetësor dhe shkollim falas, si dhe mbështetje shtesë gjatë fëmijërisë së tyre.
Shëndetësia, arsimi dhe mbrojtja sociale marrin afërsisht gjysmën e buxhetit të shtetit shqiptar, shpenzimet publike për mbrojtjen sociale, siç pohojnë autoritetet, kanë një prirje për t’u rritur, ndërsa shkalla e varfërisë është në rënie.
Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të personave me aftësi të kufizuar në rrezik për varfëri dhe përjashtim social.