Irani njoftoi të shtunën se balotazhi për zgjedhjet presidenciale do të zhvillohet më 5 korrik. Vendimi vjen pasi në votimet e djeshme asnjë prej kandidatëve nuk arriti shumicën e nevojshme për të siguruar fitoren.
Në balotazhin e së premtes së ardhshme do të vihen përballë ligjvënësi reformist, Masoud Pezeshkian dhe kandidati i linjës së ashpër, Saeed Jalili.
Në votime do të zgjidhet pasardhësi i presidentit të vijës së skajshme Ebrahim Raisi i cili vdiq në 19 maj pas rrëzimit të helikopterit më të cilin udhëtonte.
Zëdhënësi i zgjedhjeve, Mohsen Eslami tha të shtunën se nga 24.5 milionë vota të hedhura, kandidati Pezeshkian siguroi 10.4 millionë vota ndërsa Jalili 9.4 millionë. Kryetari i Parliamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, mori 3.3 millionë vota ndërsa kleriku i sektit shiit, Mostafa Pourmohammadi, mori më shumë se 206,000 vota.
Sipas ligjit iranian, për të fituar zgjedhjet një kandidat duhet të sigurojë më shumë se 50 përqind të të gjitha votave të hedhura.
Zyrtarët zgjedhorë thanë se pjesëmarrja në votime ishte 39.9 për qind, shifra më e ulët e pjesëmarrjes në zgjedhje në Republikën Islamike të Iranit. Në zgjedhjet që u mbajtën në vitin 2021, ku fitoi Ebrahim Raisi, pjesëmarrja në votime ishte 48.8 për qind ndërsa në zgjedhjet parlamentare të marsit dolën për të votuar 40.6 për qind e zgjedhësve.
Zgjedhjet përkojnë me rritjen e tensioneve në rajon për shkak të luftës mes Izraelit dhe grupeve aleate të Iranit, Hamasit në Gazë dhe Hezbollahut në Liban, si edhe shtimit të trysnisë së Perëndimit lidhur me programin bërthamor të Iranit.