Plagoset oficeri i policisë në ambasadën e Izraelit në Beograd

Ministria e Brendshme e Serbisë tha se një person qëlloi me shigjetë dhe plagosi një pjesëtar të xhandarmërisë serbe që ruante ambasadën izraelite në Beograd të shtunën. Oficeri qëlloi për vdekje autorin e sulmit.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç tha në një deklaratë se autori qëlloi me një shigjetë në drejtim të oficerit, duke e goditur atë në qafë. Ai tha se oficeri "përdori armën në vetëmbrojtje për të qëlluar sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve”.

Ai e identifikoi sulmuesin si Milosh Zhujoviç, një serb 25 vjeçar i konvertuar në islam. Ministri Daçiç tha se është arrestuar një person nën dyshimet se i ka ofruar mbështetje sulmuesit.

“Fjala është për Igor Despotoviçin nga Beogradi, i lindur në vitin 1999, i cili dy vite më parë ishte arrestuar për publikim të thirrjeve për xhihad”, tha ministri Daçiç. Ministria e Brendshme tha se i arrestuari komunikonte me sulmuesin e vrarë çdo ditë dhe se për këtë arsye ekziston dyshimi se ai ka ofruar “mbështetje logjistike”.

Autoritetet ngritën alarmin e sigurisë në Beograd, duke përfshirë të për ambasadat e huaja dhe ndërtesat qeveritare, por edhe për vendet publike si qendrat tregtare dhe zona të tjera.

Serbia ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Izraelin, me gjithë luftën në Gazë.