Sulmet e Teheranit ndaj gazetarëve në diasporë 

IRÁN

Ndërsa Teherani shton sulmet ndaj televizionit të diasporës iraniane “Iran International”, një grup avokatësh po punojnë me zyrtarët amerikanë për të siguruar mbrojtjen e gazetarëve. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Liam Scott, një ekip ligjor po zhvillon takime me ligjvënës amerikanë dhe zyrtarë të lartë për të shtuar ndërgjegjësimin lidhur me përpjekjet e Teheranit për t’u mbyllur gojën gazetarëve që raportojnë rreth zhvillimeve brenda Iranit.

Your browser doesn’t support HTML5

Sulmet e Teheranit ndaj gazetarëve në diasporë

Transferimi i një redaksie lajmesh përtej oqeanit brenda natës nuk është një veprim i lehtë. Por kjo është situata me të cilën u përball ekipi i televizionit “Iran International” me qendër në Uashington, pas një serie sulmesh ndaj kolegëve të tyre në Londër që çuan në mbylljen e përkohshme të zyrave britanike vitin e kaluar.

Zëri i Amerikës bisedoi me kryeredaktorin e televizionit “Iran International” Mehdi Parpanchi.

“Objektivi i tyre ishte të ndalonin transmetimet e televizionit ndërkombëtar të Iranit, por ne nuk mund ta lejonim të ndodhte kjo. Duhej të bënim gjithçka të mundur për të vazhduar transmetimet”.

Sulmet kanë që të shumta, që nga dështimi i atentateve, goditje me thikë në Londër dhe kërcënime serioze që detyruan fshehjen e një gazetari në Suedi në muajin qershor. Besohet se pas këtyre sulmeve qëndron Irani.

“Për fat të keq, këto lloj kërcënimesh janë në rritje. Për momentin në objektiv janë vënë gazetarët e televizionit ‘Iran International’. Por nuk ka arsye për të besuar se do të përfundoj me kaq”, thotë kryeredaktori, Mehdi Parpanchi.

Teherani është një nga dhjetëra qeveritë që vepron në të gjithë botën për t’u mbyllur gojën kritikëve.

Zëri i Amerikës bisedoi me Caoilfhionn Gallagher KC, avokate me firmën “Doughty Street Chambers” në Londër, e specializuar për të drejtat e njeriut.

“Për shumë vite Irani vuri në shënjestër gazetarët në territorin e tij. Ndërkohë Teherani ka krijuar një industri shtypjeje ndërkombëtare në shkallë të gjerë duke vënë në shënjestër gazetarët jashtë vendit për t’u mbyllur gojën”.

Ministria e Jashtme e Iranit nuk iu përgjigj emailit të Zërit të Amerikës për koment.

Ekipi ligjor ndërkombëtar që mbështet televizionin “Iran International” po takohet në Uashington me ligjvënës, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe grupe ekspertësh për të rritur ndërgjegjësimin.

Mark Stephen, me firmën ligjore londineze Howard Kennedy, thotë për Zërin e Amerikës se qeveritë priren të reagojnë vetë ndaj sulmeve.

“Është koha që shtetet të bashkëpunojnë dhe të ndajnë përvojat”.

Të rrezikuar nga hakmarrja e Teheranit janë edhe familjet e gazetarëve që ndodhen në Iran. Zoti Parpanchi thotë se pothuajse të gjithë gazetarët iranianë që ai njeh janë përballur me një lloj trysnie.

“Kërcënimet nuk mund të normalizohen kurrë. Asnjë gazetar nuk duhet të përballet me asnjë lloj kërcënimi, sidomos kërcënimin e jetës.”

Një ligj amerikan që ka marrë emrin e gazetares së Zërit të Amerikës, Masih Alinejad, kërkon vënien e sanksioneve ndaj atyre që përdoren nga Irani për të ndërmarrë sulme. Avokatja Gallagher kërkon që ligjvënësit të luajnë një rol më aktiv.

“Po të mos ishin raportimet e gazetarëve të guximshëm, pavarësisht rreziqeve, thjesht ne nuk do të dinim se çfarë po ndodh brenda Iranit. Kjo është diçka që duhet ta shqetësojë çdo amerikan. Kjo është arsyeja pse të gjithë ne duhet të ngremë zërin për lirinë e shprehjes dhe të drejtën e gazetarëve për të raportuar pa frikë”, thotë avokatja Caoilfhionn Gallagher KC, me firmën ligjore “Doughty Street Chambers”.

Ndërsa avokatët e tyre kërkojnë zgjidhje afatgjata për t’i mbrojtur ata, ekipi i gazetarëve të televizionit “Iran International” vazhdon punën e tij për të informuar audiencën brenda Iranit.