UASHINGTON – Në vitin 2016, fushata presidenciale e zotit Donald Trump i bënte jehonë zotimit për të goditur “terrorizmit radikal islamik.”
Tani, kur po kërkon një mandat të ri për Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump rrallë e përmend këtë frazë, ndërkohë që retorika e tij rreth terrorizmit islamist është zëvendësuar nga ajo për emigracionin, kriminalitetin dhe çështjet e brendshme.
Ky ndryshim u bë i qartë të dielën kur një sulm i koordinuar ndaj një stacioni policor, kishave dhe sinagogave në pjesën jugore të Rusisë la të paktën 20 të vrarë. Një ngjarje që dikur do të nxiste një mori reagimesh në platforma të rrjeteve sociale, kësaj here as nuk u përmend në platformën ‘Truth Social’ të zotit Trump.
Përse e tërë kjo heshtje rreth një çështje që ishte parullë fushate? Ekspertët sugjerojnë dy faktorë: zbehjen e shqetësimit të publikut për terrorizmin dhe një plan strategjik të ish presidentit mundshëm për të siguruar votat e amerikanëve myslimanë.
Eksperti për ekstremizmin Brian Levin, i cili e ka ndjekur nga afër retorikën e zotit Trump, thotë se ish Presidenti – “që është më shumë një oportunist se ideolog” – po përqëndrohet në çështje të cilat u interesojnë votuesve.
“Para tetë vitesh, kur kërcënimi nga ekstremizmi i frymëzuar nga jashtë ishte njëri nga shqetësimet kryesore të votuesve, zoti Trump me sukses e vuri theksin tek sulmet terroriste… për të fituar përkrahje,” thotë eksperti Levin. “Sot, megjithatë, zotit Trump i duhet të përqëndrohet në çështjet e brendshme që lidhen me ekonominë, demokracinë, kriminalitetin, kufirin si dhe presidentin aktual të cilin ai shpreson ta mundë.”
Krahas mbrojtjes së rezultateve të arritura gjatë mandatit të tij, përfshirë menaxhimin e emigracionit në kufirin me Meksikën, Presidenti Joe Biden e ka bërë mbrojtjen e demokracisë pjesë qendrore të fushatës së tij, duke e quajtur zotin Trump kërcënim të rrezikshëm për vendin.
Por përkrahja e fuqishme e zotit Biden për Izraelin gjatë fushatës ushtarake në Gazë zemëroi shumë votues myslimanë, duke krijuar një mundësi të rrallë për zotin Trump, sipas ekspertëve.
Profesori Gabriel Rubin në Universitetin Montclair thotë se zoti Trump me gjasë po synon të marrë votat myslimane në shtetet e diskutueshme që kanë popullatë numerikisht të madhe myslimane dhe që mund ta përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit.
“Ai ka një arsye për të mos e përmendur (‘terrorizmin radikal islamik’) shpesh”, i tha Zërit të Amerikës në një intervistë profesori Rubin, i cili ka shkruar për retorikën e kaluar të zotit Trump rreth myslimanëve dhe terrorizmit. “Mendoj se ai mund të fitojë në disa nga këto shtete, nëse i luan kartat si duhet.”
Për sqarim, kërcënimi i terrorizmit ndërkombëtar nuk është zhdukur. Që prej fillimit të luftës në Gazë, zyrtarët amerikanë, përfshirë drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve, FBI, Christopher Wray, kanë paralajmëruar për rritjen e mundësisë së sulmeve terroriste.
Por ndërkohë që paralajmërimet duket se kanë shtuar shqetësimet e publikut për terrorizëmin, “shqetësimi i përgjithshëm për këtë çështje ende nuk është në nivelet e larta të viteve 2015 dhe 2016”, sipas një raporti të organizatës Gallup, të publikuar në prill.
Retorika e zotit Trump gjatë fushatës së vitit 2016 – prej pohimeve se “myslimanët na urrejnë” e deri te “ndalimi i plotë i myslimanëve për të hyrë në Amerikë” – nuk ndodhi në vakuum.
Aso kohe Shteti Islamik, ndonëse në ikje e sipër, ende kontrollonte pjesë të mëdha të territorit të Sirisë dhe Irakut dhe bënte thirrje për sulme ndaj Perëndimit. Valët e sulmeve terroriste të frymëzuara nga Shteti Islamik në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara e shtuan shqetësimin e amerikanëve për terrorizmin.
Dymbëdhjetë muaj para zgjedhjeve të nëntorit, zoti Trump postoi 164 herë për Shtetin Islamik, “Islamin radikal” dhe terrorizmin – gati dyfish më shumë se sa postoi për sigurinë në kufi apo emigracionin, sipas një llogaritje.
Komentet plot mllef të zotit Trump mbi myslimanët dhe fenë islame, që mirëpriteshin nga përkrahësit e tij, shqetësuan shumë pjesëtarë të komunitetit mysliman, të cilët e akuzuan atë për islamofobi, akuza që ai dhe aleatët e tij i kundërshtojnë.
Zëri i Amerikës kontaktoi me selinë e fushatës së zotit Trump për reagim, por nuk mori përgjigje. As selia e fushatës së zotit Biden nuk u përgjegj ndaj kërkesës për të komentuar.
Qëndrimi i zotit Biden mbi terrorizmin, sidomos terrorizmin islamist, po ashtu ka ndryshuar ndër vite.
Ndonëse ai nuk e ka përdorur fjalinë “terrorizmi radikal islamik”, në të kaluarën zoti Biden ka treguar gatishmëri të përdorë gjuhë të ngjashme, kur fliste për luftën kundër terrorizmit.
Në vitin 2014, si nënpresident zoti Biden kritikonte Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe se po përkrahnin grupet xhihadiste në Siri dhe “elementët ekstremistë xhihadistë nga vendet e tjera të botës.” Ai më vonë kërkoi falje për këto komente.
Që kur është bërë president në vitin 2021, zoti Biden e ka trajtuar terrorizmin më gjerësisht, pa veçuar ndonjë rajon apo fe, duke u distancuar nga retorika e “Luftës ndaj terrorit” të dekadës së parë të viteve 2000.
Ditën e parë kur hyri në Shtëpinë e Bardhë, zoti Biden shfuqizoi vendimin për “ndalesën ndaj myslimanëve”, duke e quajtur atë “një njollë në ndërgjegjën kombëtare”.
Për më shumë, pas sulmit të 6 janarit në Kapitol, administrata e tij vuri një theks të veçantë në terrorizmin e brendshëm, si kërcënim serioz ndaj sigurisë së vendit. Në vitin 2021, administrate e zotit Biden hartoi strategjinë e parë kombëtare për t’iu kundërpërgjigjur terrorizmit të brendshëm.
Pas sulmit të Hamasit me 7 tetor, zoti Biden e dënoi sulmin si “ligësi e pastër” duke i ndarë autorët e sulmit nga komuniteti më i gjerë mysliman.
“E di që shumë nga ju në komunitetin e amerikanëve myslimanë apo komunitetin arabo-amerikan, në komunitetin palestinezo-amerikan dhe shumë të tjerë jeni të indinjuar dhe të lënduar, duke thënë me vete, ‘do të përballemi sërish’ me islamofobi dhe mungesën e besimit që e pamë pas 11 shtatorit”, deklaroi zoti Biden më 10 tetor.
Edhe gjatë kohës që shërbeu në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump nuk u njoh për retorikë të moderuar. Por pas vitit të dytë në Shtëpinë e Bardhë, retorika e tij rreth myslimanëve dhe terrorizmit u zvogëlua, ndërkohë që vëmendja e tij u përqëndrua në një fushë të re: tek siguria kufitare dhe emigracioni i jashtëligjshëm.
Kjo prirje po vazhdon gjatë kësaj fushate. Sipas një analize të Zërit të Amerikës të postimeve të tij të fundit në rrjetet sociale dhe të deklaratave të bëra gjatë fushatës, ai e ka përmendur më pak se 20 herë këtë çështje dhe vetëm një herë i është referuar “terroristëve radikalë islamikë”.
Këtë e bëri gjatë muajit korrik të vitit të kaluar kur njoftoi që do ta rikthente ndalesën e udhëtimit për qytetarët e disa shteteve myslimane, e cila hyri në fuqi gjatë pjesës së parë të mandatit të zotit Trump. Zoti Biden e shfuqizoi këtë vendim.
“Nuk duam që njerëzit që na urrejnë të vijnë në vendin tonë. Duam njerëz që na duan”, tha zoti Trump gjatë një tubimi dhe iu referua protestave kundër policisë në Francë, të nxitura nga vrasja e një adoleshenti francez me prejardhje marokene.
Përkrahësit e zotit Trump e nënvlerësojnë retorikën e tij ndaj myslimanëve dhe terrorizmit duke e konsideruar vetëm retorikë.
“Të mos shikojmë çfarë thotë, por çfarë bën”, thotë një aktivist mysliman republikan, që e bëri këtë deklaratë me kusht të mos identifikohet me emër.
Një aktivist tjetër e vuri në dyshim nëse zoti Trump kishte thënë ndonjëherë se i urrente myslimanët, duke shtuar se ekziston mundësia që më shumë myslimanë të votojnë për ish presidentin kësaj radhe se në vitin 2016.
Por nëse ekziston një pikë e përbashkët në mes të përkrahësve të zotit Trump dhe kritikëve të tij, ajo është që zoti Trump ka gjasa ta përmbushë zotimin e tij për të rikthyer “ndalesën ndaj myslimanëve.”
“Struktura ligjore që në radhë të parë mundësoi zbatimin e ndalesës ndaj myslimanëve ekziston ende, prandaj duhet të fillojmë të marrim masa që ajo mund të hyjë sërish në fuqi”, thotë drejtori Corey Saylor nga Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike.