Gjyqi me dyer të mbyllura ndaj gazetarit të gazetës Wall Street Journal, Evan Gershkovich filloi në Jekaterinburg të mërkurën, 15 muaj pas arrestimit të tij në qytetin rus nën akuzat për spiunazh, që ai, punëdhënësi i tij dhe qeveria amerikane i kanë mohuar.
Gazetari 32-vjeçar u shfaq në gjykatë në një kabinë prej xhami për të pandehurit, me kokën e qethur. Kabina ishte e mbyllur me një dryn të verdhë.
Gazetarët u lejuan në sallën e gjyqit për disa minuta në fillim të seancës. Ambasada amerikane në Moskë tha se prania e dy zyrtarëve të saj konsullorë u lejua shkurtimisht në gjykatë.
Seanca e radhës për gazetarin Gershkovich u caktua për datën 13 gusht, thanë zyrtarët e gjykatës.
Jay Conti, nënkryetar ekzekutiv dhe këshilltari ligjor i firmës ‘Dow Jones’, botuesit të gazetës Wall Street Journal, tha në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press se gjyqi është një sajesë.
“Ai ishte një gazetar i akredituar që merrej me gazetari dhe ky është një gjyq i rremë, i bazuar në akuza të pavërteta dhe krejtësisht të sajuara”, tha zoti Conti.
Evan Gershkovich, i lindur në Amerikë, është djali i emigrantëve të ardhur në Shtetet e Bashkuara nga Bashkimi Sovjetik. Ai është gazetari i parë perëndimor i arrestuar për spiunazh në Rusinë post-sovjetike. Gazetari i Wall Street Journal u arrestua në Yekaterinburg, në 29 mars të vitit 2023, gjatë një udhëtimi pune për përgatitjen e një reportazhi dhe ndaj tij më pas u ngritën akuza për spiunazh për Shtetet e Bashkuara.
Departamenti i Shtetit e ka shpallur atë person "të arrestuar padrejtësisht", një vendim që e detyron qeverinë amerikane të kërkojë më ngulm lirimin e tij.
Gazeta Wall Street Journal ka punuar me zell për ta mbajtur çështjen e gazetarit në vëmendjen e publikut dhe kjo është bërë e vështirë në muajt fundit për shkak të intensifikimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Që pas arrestimit të tij më 29 mars 2023, zoti Gershkovich është mbajtur në burgun Lefortovo të Moskës, një burg famëkeq i epokës cariste, i përdorur gjatë fushatës së spastrimeve të Josif Stalinit, kur ekzekutimet kryeheshin në bodrumin e tij. Ai është shfaqur i shëndetshëm gjatë seancave gjyqësore. Disa apele për lirimin e tij janë refuzuar.
“Evan ka shfaqur qëndresë dhe forcë të jashtëzakonshme përballë kësaj situate të zymtë”, tha ambasadorja amerikane në Moskë, Lynne Tracy në përvjetorin e parë të arrestimit të tij.
Gershkovich përballet me 20 vjet burg nëse gjykata e shpall fajtor, gjë që është pothuajse e sigurt. Gjykatat ruse dënojnë më shumë se 99% të të pandehurve dhe prokurorët mund të apelojnë dënimet, që i konsiderojnë si shumë të buta dhe madje mund të apelojnë lirimin e tyre.
Paul Whelan, një zyrtar i korporatave amerikane të sigurisë, u arrestua në Moskë për spiunazh në vitin 2018 dhe po vuan dënimin me 16 vjet burg.
Arrestimi i gazetarit Evan Gershkovich ndodhi rreth një vit pasi Presidenti Vladimir Putin firmoi disa ligje, që ndikojnë në punën e gazetarëve, duke kriminalizuar kritikat ndaj asaj që Kremlini e quan një "operacion ushtarak special" në Ukrainë, si dhe deklaratat që shihen si diskreditim i ushtrisë ruse. Një pjesë e madhe e gazetarëve të huaj u larguan nga vendi pas hyrjes së këtyre ligjeve në fuqi nga frika se mund të arrestoheshin nga autoritetet ruse. Shumë prej tyre u rikthyen në vend, por ende ekziston shqetësimi se autoritetet ruse mund të marrin masa ndaj tyre.
Duke marrë parasysh që gjyqi ndaj gazetarit Gershkovich po zhvillohet me dyer të mbyllura, pak detaje të çështjes së tij mund të bëhen publike. Por zyra e Prokurorit të Përgjithshëm rus tha këtë muaj se ai akuzohet për "mbledhje të informacionit sekret" me urdhër të CIA-s për Uralvagonzavodin, një kompleks në rajonin e Sverdlovskit, që prodhon dhe riparon pajisje ushtarake.
“Evan Gershkovich po përballet me një akuzë të rreme dhe të pabazë. Sulmet e regjimit rus ndaj reputacionit të Evanit janë të neveritshme, të paramenduara dhe të bazuara në gënjeshtra të qarta. Gazetaria nuk është krim”, thanë përmes një deklarate pas shpalljes së datës së fillimit të gjyqit, drejtori ekzekutiv i kompanisë ‘Dow Jones’, Almar Latour dhe kryeredaktorja e gazetës Wall Street Journal, Emma Tucker. “Ne kishim shpresuar ta shmangnim këtë moment dhe tani presim që qeveria amerikane të dyfishojë përpjekjet për të liruar Evanin”, thanë ata.
Në një letër drejtuar lexuesve të gazetës të martën, kryeredaktorja Tucker tha se madje edhe ta quash këtë një gjyq "është e padrejtë për Evanin dhe një vazhdim i këtij absurditeti që tashmë ka zgjatur shumë".
I pyetur në lidhje me gjyqin të mërkurën gjatë një konference telefonike për shtypin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përmbajt nga komentet, duke thënë se "është e nevojshme të presim vendimin".
Rusia nuk e ka përjashtuar mundësinë e një shkëmbimi të të burgosurve, pjesë e të cilit do të mund të ishte gazetari Gershkovich, por thotë se kjo nuk është e mundur përpara një vendimi të gjykatës për akuzat ndaj tij. Kjo mund të jetë disa muaj larg, sepse gjyqet ruse shpesh shtyhen për javë të tëra.
Zoti Putin ka thënë se beson se mund të arrihet një marrëveshje për lirimin e gazetarit Evan Gershkovich, duke lënë të kuptohet se do të ishte i hapur për ta shkëmbyer atë me një shtetas rus të burgosur në Gjermani, i cili mendohet të jetë Vadim Krasikov. Ai po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen në vitin 2019 në Berlin të një shtetasi gjeorgjian me origjinë çeçene.
Presidenti Biden mund të nxitet për të punuar për lirimin e gazetarit Gershkovich për shkak të mburrjeve të ish-presidentit Donald Trump, i cili pritet të jetë rivali i tij republikan në zgjedhjet e këtij viti, se ai mund ta lirojë me lehtësi gazetarin. Putini “do ta bëjë këtë për mua, por jo për dikë tjetër”, pohoi zoti Trump në maj.
Kremlini, megjithatë, thotë se nuk ka qenë në kontakt me zotin Trump dhe zëdhënësi Peskov ka thënë lidhur me një shkëmbim të mundshëm të burgosurish se "këto kontakte duhet të kryhen në fshehtësi të plotë".
Ai e ripohoi këtë të mërkurën, duke shtuar: “e përsërisë se kjo çështje më së miri mund të diskutohet në fshehtësi”.