Kosova dhe Serbia dështuan të shënojnë përparim në bisedimet e normalizimit të mërkurën në Bruksel dhe një takim trepalësh i planifikuar me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell nuk u zhvillua, për shkak të refuzimit të Kosovës për të marrë pjesë.
Zoti Borrell tha se kryeministri Kurti paraqiti tre kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin më të gjerë të normalizimit.
“Së pari, zyrtarizimin e marrëveshjes themelore përmes nënshkrimit nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive përkatëse. Së dyti, tërheqjen e letrës së paraqitur zyrtarisht në BE nga ish-kryeministrja (serbe Ana) Bërnabiç, e datës 13 dhjetor 2023. Dhe së treti, dorëzimin e Milan Radojçiçit dhe grupit të tij paraushtarak-terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, citoi zoti Borrell.
Lexoni edhe këtë Milan Radoiçiç merr përsipër përgjegjësinë për sulmin në veri të KosovësSerbia, tha ai, “nuk ishte e gatshme të përmbushte plotësisht kushtet e Kosovës duke përmendur kufizimet kushtetuese, ndërsa presidenti Vuçiç tha se është i gatshëm të shqyrtojë opsionet në lidhje me letrën e ish kryeministres dhe zyrtarizimin e marrëveshjes në përputhje me praktikën e kaluar të Dialogut për të zhbllokuar zbatimin e saj”.
Zoti Borrell tha se para takimit, BE-ja kishte paraqitur një propozim të ri për planin e zbatimit por “fatkeqësisht kushtëzimi i zbatimit nuk lejoi që diskutimet të përqendrohen në veprime konkrete zbatuese nga palët”, ndërsa theksoi se qëndrimet e tyre mbeten shumë të ndryshme për mënyrën se si mund të nisë zbatimi i Marrëveshjes dhe rrjedhimisht se si duhet të vazhdojë procesi i normalizimit.
Zoti Borrell tha se i dërguari evropian Miroslav Lajçak do të presë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel për të vazhduar diskutimet mbi planin e zbatimit të marrëveshjes si dhe çështje të tjera të dialogut.
“Tani u takon të dy palëve të tregojnë konstruktivitet dhe të mundësojnë që procesi të ecë përpara. Kjo është në interesin e tyre dhe në interes të aspiratave të tyre për integrim evropian”, tha zoti Borrell.
Ndërmjetësuesit provuan një takim të përbashkët në atë që disa vëzhgues të pavarur e panë si një shfaqje që do t’u mundësonte atyre të deklarojnë se procesi vazhdon, ndërsa palëve mund t’u sigurojë përfitime nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes ripërkushtimit ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve.
Kurti: Kërkuam garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi kërkesat e paraqitura nga zoti Borrell, duke theksuar se ka kërkuar "garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve".
“Konsiderojmë se marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, për marrëdhënie të mira fqinjësore, me fqinjin tonë verior, me njohjes së paku de-fakto në qendër, por është edhe arritje e Bashkimit Evropian që ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu”, tha kryeministri Kurti.
Vuçiç: Kurti nuk deshi të takohet me mua
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, u tha medieve serbe në Bruksel se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “nuk ka dashur të më shohë”. Ai theksoi se gjatë bisedave dypalëshe me ndërmjetësuesit ka theksuar përkushtimin e plotë të Beogradit për vazhdimin e bisedimeve.
Sipas presidentit serb, kryeministri Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe "tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.
Ndryshimet në udhëheqjen e BE-së dhe dialogu Kosovë - Serbi
Zoti Borrell, në vjeshtë duhet t’i lërë postin pasardhësit të tij, zgjedhja e të cilit mund të vendoset ditëve të ardhshme në takimin e udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në fund të mandatit është edhe i dërguari Lajçak i cili është emëruar ambasador i bllokut në Zvicër, por gjatë vizitës së fundit në rajon tha se do të qëndrojë në postin aktual deri në muajin janar.
“Brenda pak kohe do të ketë njerëz tjerë dhe emra të tjerë në postet tona por marrëveshjet, përfundimet e Këshillit dhe pritshmëritë e BE-së do të jenë të njëjtat. Shtetet anëtare nuk do të ndryshojnë, detyrimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të hiqen. Të gjithë do të vazhdojnë të shohin gatishmërinë e presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës për të siguruar një të ardhme më të mirë evropiane për njerëzit e tyre. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në qendër të angazhimit evropian rreth Ballkanit Perëndimor. Përparimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve është gjithashtu ngushtë i lidhur me rrugën e tyre integruese”, tha më herët gjatë ditës zoti Borrell.
Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, është mbajtur në shtator të vitit të kaluar, pak ditë para ngjarjeve të 24 shtatorit, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie. Tre nga sulmuesit mbetën të vrarë gjatë përleshjeve.
Ngjarja ngriti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon dhe diplomacia perëndimore u vu në përpjekje për të nxitur palët që të zbatojnë marrëveshjen e normalizimit, e cila nuk parasheh njohje të ndërsjellë, po kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, çka është konsideruar njohje de fakto por jo de jure e Kosovës nga Serbia. Marrëveshja kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese si dhe të përmbushin të gjitha marrëveshjet arritura më parë mes tyre.
Me 27 tetor të vitit të kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një deklaratë të përbashkët i kërkuan Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë që të njohë ‘de-facto’ shtetësinë e Kosovës, që nënkupton zbatimin e parimeve të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.
Por, procesi i themelimit të Asociacionit ende nuk ka filluar, ndërsa Serbia tha se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ apo ‘de jure’ të Kosovës.
Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se marrëveshja, ndonëse nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimit evropian të tyre.