Një Rusi agresive, një Kinë që e ndjen veten më të fortë, një Lindje e Mesme në konflikt dhe marrëdhëniet e brishta në rang botëror, të nevojshme për të përballuar këto sfida, janë çështje kryesore të politikës së jashtme që as presidenti Joe Biden dhe as ish-presidenti Donald Trump nuk i anashkalojnë dot, pavarësisht se kush prej tyre do të fitojë zgjedhjet e nëntorit.
Ndërsa pritet që të enjten të zhvillojnë debatin presidencial, ka të ngjarë qe ata të të japin një ide të përgjithshme mbi rolin që duan të luajnë Shtetet e Bashkuara në skenën botërore.
Dallimet mes tyre janë tejet të thella, thotë Jeremi Suri, profesor i historisë në Universitetin e Teksasit në Austin.
"Qasja e zotit Biden është një ndërthurje e internacionalizmit liberal dhe realizmit të sforcuar, që i bën jehonë Luftës së Ftohtë", tha ai. “Qasja e zotit Trump është ndërthurje e izolacionizmit bazuara në politika që nuk synojnë përfshirjen e vendeve të tjera, përsëritje e qasjes së Shteteve të Bashkuara para Luftës së Dytë Botërore”.
Ja si i shohin kandidatët presidencialë çështjet e nxehta të politikës së jashtme.
Agresioni rus
Administrata e zotit Biden paralajmëroi rrezikun përpara se Rusia të niste agresionin ndah Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe është zotuar ta mbështesë Kievin "për aq kohë sa do të jetë e nevojshme". Por kjo mbështetje u lëkund këtë vit, kur republikanët në Kongres bllokuan për gjashtë muaj në një paketë ndihme prej 61 miliardë dollarësh për Kievin.
Në takimin e nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet në korrik në Uashington zoti Biden do të kërkojë të forcojë mbështetjen e aleatëve për mbrojtjen e Kievit, ndërkohë që do t'ua kalojë aleatëve në Evropë, detyrat që lidhen me koordinimin për Ukrainën, lëvizje që shihen si përpjekje për ta mbajtur larg konfliktin nga një Kongres amerikan, që mund të mos jetë mbështetës apo nga presidenti i ardhshëm.
Pikëpamja e zotit Trump për konfliktin është e ndërlikuar, kontradiktore dhe e diktuar nga përvoja e tij me udhëheqësin ukrainas. Kjo sepse, ishte një telefonatë e tij në korrikut 2019 me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy që shkaktoi përpjekjen e parë për shkarkimin e tij nga detyra.
Senati, ku shumicën e kishin republikanët e shpalli të pafajshëm zotin Trump mbi akuzat se kërkoi ndihmë në mënyrë të paligjshme nga një fuqi e huaj me qëllim që të rriste shanset për t’u rizgjedhur, duke i kërkuar zotit Zelenskyy ta ndihmonte atë të diskreditonte politikisht zotin Biden.
Lidhur me luftën, zoti Trump tha së fundmi në një intervistë se “do ta zgjidhë (çështjen e luftës) përpara se të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë".
“Ajo luftë duhet të marrë fund”, shtoi ai.
Analistët thonë se zoti Trump nuk e ka bërë të qartë qëndrimin e tij deri tani.
"Ai përkrahu vetëm nevojën për të filluar disa lloje bisedimesh dhe negociatash dhe tha se mund të ishte i gatshëm të angazhohej në këto negociata ndërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit Zelenskyy, por ai kurrë nuk specifikoi se cilat do të ishin hapat realë për këtë marrëveshje paqeje”, shprehet Sergiy Kudelia, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Baylor.
Presidenti Biden e siguroi së fundmi homologun Zelenskyy se marrëveshja e re dypalëshe 10-vjeçare në fushën e sigurisë që ata firmosën shërben si “një tjetër kujtesë për presidentin Putin se “ne nuk po tërhiqemi. Përkundrazi, po qëndrojmë krah më krah kundër këtij agresioni të paligjshëm”.
Por ky qëndrim i ashpër nuk kufizohet vetëm tek zoti Biden, thonë analistët.
“Ne e dimë se zoti Trump e percepton veten si një njeri të fortë dhe nuk dëshiron që emri i tij të lidhet me dështimin në fushën e politikës së jashtme”, tha për Zërin e Amerikës ish-ambasadori i SHBA-ve në Ukrainë, John Herbst. “Dhe një fitore e Rusisë në Ukrainë, nëse President do të jetë zoti Trump, do të dukej vërtet si një dështim në politikës së jashtme”.
Ambicia e Kinës
Qëndrimi i përsëritur i zotit Biden lidhur me Pekinin është "konkurrencë, jo konflikt" dhe përdorimi i kartës së ekonomisë është e preferuara e Uashingtonit në këtë “lojë” me ndikim të lartë. Kjo duket se lidhet me atë që është përparësi për shumicën e votuesve amerikanë, ekonominë.
Në maj, Presidenti Biden theksoi rreziqet që sipas tij paraqet Kina, duke vendosur tarifa të larta për automjetet elektrike kineze, bateritë, çelikun, aluminin dhe pajisjet mjekësore.
“Punëtorët amerikanë mund të punojnë më shumë se kushdo dhe të konkurojnë këdo për sa kohë që konkurrenca është e drejtë”, tha zoti Biden. “Por për një kohë të gjatë kjo konkurencë nuk ka qenë e drejtë. Për vite me radhë, qeveria kineze ka mbështetur me paratë e shtetit kompanitë kineze. ... Kjo nuk është konkurrencë, është konkurencë e pandershme”, tha ai.
Dhe zoti Trump, një adhurues i vetëshpallur i tarifave, kohët e fundit propozoi një tarifë për të gjitha mallrat e importuara dhe një tarifë tjetër prej 60 për qind ose më shumë për importet kineze.
Sa i përket Kinës, sipas profesorit Konstantin Sonin nga universiteti i Çikagos, kandidatët janë agresivë. Zoti Biden, sipas tij, nuk ka ndryshuar shumë nga tarifat e ashpra që u vendosën ndaj Kinës gjatë administratës së zotit Trump.
“Tetë vjet më parë, dukej sikur ai do të ishte një president ndryshe”, tha ai duke iu referuar zotit Trump. “Por në fakt, ai nuk ishte aq i ndryshëm. Dhe shumë gjëra që bëri zoti Trump u vazhduan më pas nga administrata e Presidentit Biden.”
Por sa i përket Tajvanit, për çka Uashingtoni refuzon të shprehet qartë se si do të reagonte nëse Pekini do të kryente sulm ndaj tij, qasja do të ishte e ndryshme, varësisht se kush prej tyre është President, thotë zoti Sonin. “Mendoj se ata vazhdojnë të jenë president të ndryshëm. Për shembull nëse ka përshkallëzim rreth Tajavanit, atëherë ndoshta zoti Trump do të reagente ndryshe”.
“Megjithatë, kur vjen fjala për politikën e jashtme, retorika e tij është më e ashpër se veprat. Kjo është e vërtet në raport me Kinën, jo vetëm me Kinën, por edhe me Meksikën”, shtoi ai.
Lindja e Mesme
Kur vjen fjala te Lindja e Mesme, në lojë hyjnë qëndrimet kontradiktore dhe me superlativa të zotit Trump. Ndërsa zoti Biden ka mbajtur publikisht pozicionin si mbështetësi më i fortë i Izraelit, pa e fshehur se shpesh është i zemëruar me kryeministrin Netanyahu ndërsa lufta në Gazë vazhdon, marrëdhënia personale e zotit Trump me udhëheqësin izraelit duket se dikton pikëpamjen e tij ndaj rajonit.
“Kam patur një përvojë të keqe me Bibin”, tha zoti Trump duke përdorur emrin e shkurtuar të zotit Netanyahu, gjatë një interviste në muajin prill për revistën “Time”.
"Dhe ka të bëjë me sulmet ajrore në të cilat u vra gjenerali Iranian Qasem] Soleimani, sepse siç ndoshta e dini, ai (Netanyahu) u tërhoq pak para sulmit. Dhe ishte diçka për të cilën nuk isha i lumtur. Nuk do ta harroj kurrë”, tha zoti Trump.
Por kur në maj, zoti Biden u zotua se nuk do të dërgonte armë në Izrael nëse forcat izraelite kryenin një sulm të gjërë tokësore në qytetin me popullsi të dendur, Rafah, në Gazë, zoti Trump u kundërpërgjigj.
Në një postim në rrjetin Truth Social ai tha se me deklaratat e tij zoti Biden po mbante “anën e terroristëve”, njësoj siç mbajti anën e protestuesve radikalë në kampuse”.
Në këtë pike, zoti Trump zbatoi një taktikë retorike të veçantë, duke përdorur një çështje, në këtë rast Izraelin, për të sjellë në vëmendje një fjalë kyçe, “terrorizmin” që sipas anketimeve është një nga shqetësimet kryesore të votuesve dhe më pas duke e përdorur atë për çështje të brendshme. Në këtë rast ai vuri në dukje protestat në rritje në unveristetet amerikane lidhur me luftën në Gazë duke përdorur terma të fortë që synojnë të ndikojnë ndjenjat e votuesve.
Sipas të dhënave të Qendrës së Anketimeve Pew, çështjet kryesore për amerikaët duket se përqëndrohen përherë tek e njëjta gjë: frika.
"Shumica e amerikanëve thonë se parandalimi i sulmeve terroriste (73 për qind), ndalimi i hyrjes së drogës në vend (64 për qind) dhe parandalimi i përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë (63 për qind) janë përparësite kryesore", sipas të dhënave të fundit lidhur me përparësitë e amerikanëve mbi politikën e jashtme.
Megjithatë, sipas Institutit Pew, “pavarësisht këtyre përparësive, për shumicën e amerikanëve politika e jashtme në përgjithësi është në rend të dytë, pasi më rëndësi kanë çështje që lidhen me politikën e brendshme”.