Kryeministri i Kinës Li Qiang hodhi poshtë të martën kritikat se firmat kineze gëzojnë subvencione të padrejta krahasuar me firmat e vendeve të tjera. Ai gjithashtu hodhi poshtë shqetësimet për gjendjen e ekonomisë së dytë më të madhe në botë.
Gjatë fjalimit të tij në hapjen e takimit të Forumit Ekonomik Botëror "Summer Davos" në qytetin verilindor të Kinës, Dalian, Kryeministri Li foli për rëndësinë e tregjeve të hapura dhe zhvillimin e teknologjive të gjelbra.
"Ne nuk mund të ngadalësojmë ritmin tonë gjatë tranzicionit të gjelbër në këmbim të rritjes ekonomike afatshkurtër dhe as të vendosim kufizime në emër të mbrojtjes së mjedisit", tha ai.
Komentet e Kryeministrit Li vijnë teksa shtohen reagimet globale ndaj eksporteve të makinave elektrike të Kinës. Kritikët kanë shprehur shqetësimin se Kina po përmbyt tregjet nga Evropa deri në Amerikën e Veriut me automjete elektrike të lira dhe me mallra të tjerë të teknologjisë së gjelbër.
Administrata e Presidentit Joe Biden në muajin maj publikoi planin e rritjes së tarifave për importet kineze të makinave elektrike dhe prodhime të tjera të energjisë së pastër. Bashkimi Evropian po përgatitet të vendosë tarifa për automjetet elektrike të Kinës duke filluar nga muaji i ardhshëm.
Duke folur para një audience të elitave politike dhe të biznesit, Kryeministri Li kritikoi tensionet e vazhdueshme tregtare dhe siguroi se ekonomia e Kinës po rritet dhe është në rrugën e duhur për të arritur objektivin e rritjes prej 5% gjatë këtij viti.
Duke folur për shqetësimet se Kina po përmbyt tregjet evropiane dhe atë amerikan, Kryeministri Li tha se makinat elektrike kineze dhe prodhimet e tjera të gjelbra "para së gjithash përmbushin kërkesat e brendshme, pasurojnë tregun ndërkombëtar duke lehtësuar trysninë nga inflacioni në botë si dhe japin kontribut pozitiv nga Kina në përpjekjet globale kundër ndryshimeve klimatike”.
Kina thotë se përparimi i saj në industritë e teknologjive të gjelbra ka të bëjë me investimet e hershme dhe se Perëndimi po ndërmerr veprime të paarsyeshme duke vendosur tarifa.