GJND, urdhër arresti për ish-ministrin rus të mbrojtjes Shoigu

  • VOA

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJND) ka lëshuar urdhër-arresti për ish-ministrin rus të mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, gjeneralin Valery Gerasimov.

GJND-ja tha të martën se ka “baza të arsyeshme për të besuar se dy të dyshuarit mbajnë përgjegjësi për sulmet me raketa të kryera nga forcat e armatosura ruse kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës”, nga muaji tetor i vitit 2022 deri në muajin mars të vitit 2023.

Gjykata përmendi sulmet ruse që goditën termocentralet dhe nënstacionet e rrjetit elektrik të Ukrainës.

Një deklaratë e GJND-së thotë se ish ministri Shoigu dhe zoti Gerasimov dyshohen se janë përgjegjës për dhënien e urdhrave për sulme ndaj objektivave civile dhe për shkaktimin e dëmeve të shumta ndaj civilëve, akuza këto që trajtohen si krime lufte.

Presidenti rus Vladimir Putin e largoi zotin Shoigu nga posti i Ministrit të Mbrojtjes në muajin maj, në kuadër të një ndryshimi të kabinetit pas fillimit të mandatit të ri presidencial.

Zyrtarët rusë thanë të hënën se Ukraina përdori 30 dronë në sulmet e kryera gjatë natës në dy zona pranë kufirit midis dy vendeve.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se ka rrëzuar 29 dronë mbi rajonin e Belgorodit dhe një tjetër mbi Voronezh.

Vyacheslav Gladkov, guvernatori rajonal i Belgorodit, tha se copëzave të dronëve të rrëzuar lënduan disa njerëz dhe dëmtuan ndërtesa.

Rajoni i Belgorodit është një objektiv i shpeshtë i sulmeve ajrore ukrainase. Rajoni ndodhet pak përtej kufirit dhe ka afërsi me rajonin e Kharkivit të Ukrainës, ku forcat ruse kanë fituar terren gjatë një ofensive në muajt e fundit.

Në Voronezh, guvernatori Aleksandr Gusev tha se një zjarr në një zonë industriale u shkaktua nga një dron i rrëzuar. Zoti Gusev tha se nuk kishte të lënduar.



Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencia e lajmeve 'Reuters'.