Mënyra se si do të votojë një zonë në pjesën veriore të qytetit të Nju Jorkut në zgjedhjet paraprake të 25 qershorit, mund të zbulojë se se sa rëndësi po i kushtojnë votuesit amerikanë luftës në Gazë. Ky rezultat mund të jetë shumë i dobishëm për demokratët, që po përpiqen të sigurojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në nëntor.
Your browser doesn’t support HTML5
Një zgjidhje me dy shtete për konfliktin e kahershëm izraelito-palestinez në Lindjen e Mesme mbështetet nga dy kandidatët demokratë në garën paraprake për distriktin e 16-të të Kongresit në Nju Jork.
Por kur bëhet fjalë për luftën Izrael-Hamas në Rripin e Gazës, ligjvënësi aktual Jamaal Bowman dhe rivali i tij George Latimer kanë dallime të mëdha.
Ligjvënësi Bowman, një demokrat progresist, këmbëngul për një armëpushim.
“Ne dënojmë sulmet e 7 tetorit, në të cilat u vranë mijëra civilë. Ne e dënojmë atë. Por ne nuk mund ta dënojmë këtë dhe më pas të falim veprimet e mëvonshme në Gazë. Kështu që ne duhet të ngrejmë zërin. Ndëshkimi kolektiv dhe vënia në shënjestër e civilëve nuk mund të konsiderohen vetëmbrojtje”, thotë ai.
Qasja ushtarake e Izraelit mbështetet nga rivali i tij George Latimer.
“Shumica e njerëzve duan të shohin një përfundim të luftimeve, por ata nuk duan që kjo të arrihet pa lirimin e pengjeve nga Hamasi, sepse Hamasi është një organizatë terroriste”, thotë ai.
Këshilltari demokrat Chris Coffey sheh një mundësi për të fituar terren për zotin Latimer, një demokrat i moderuar, në distriktin ku votuesit e lagjeve periferike kanë një prirje të moderuar.
"Pra, ka para që po vijnë në distrikt nga grupe pro-izraelite dhe pro-biznesit, që në masë të madhe po mbështesin zotin Latimer", thotë ai.
Ligjvënësi Bowman tërhoqi vëmendjen e mediave vitin e kaluar kur aktivizoi një alarm zjarri në ndërtesën e Kongresit gjatë një seance të Dhomës së Përfaqësuesve.
“Është e pazakontë. Por zoti Bowman ka vepruar paksa në mënyrë të çrregullt. Ai ndezi alarmin dhe u censurua për këtë. Ai ka votuar kundër udhëheqjes demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në disa raste kundër propozimeve të presidentit”, thotë zoti Coffey.
Partia Demokrate pritet të fitojë sërish zgjedhjet për Kongresin në distriktin e 16-të në Nju Jork. Por preferencat e votuesve në këtë distrikt, mund të ndihmojnë demokratët të identifikojnë mesazhet që i duhen partisë rreth luftës në Gazë dhe të ndihmojë përpjekje e saj për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit.