Presidenti Joe Biden fillon sot në vendpushimin presidencial Camp David në shtetin e Merilendit një periudhë intensive për atë që mund të jetë debati presidencial më i rëndësishëm ndër dekada.
Ekipi u fushatës elektorale të kandidatit demokrat 81 vjeçar është i ndërgjegjshëm se ai nuk mund t’ia lejojë vetes të ketë një paraqitje zhgënjyese kur të përballet me kandidatin republikan Donald Trump, në një debat televiziv prej 90 minutash në 27 qershor.
Ekipi i fushatës së kandidatit demokrat pret që goditja ndaj tij të përqëndrohet tek aftësitë fizike dhe mendore të presidentit, tek të dhënat mbi ekonominë, migracionin, por edhe familjen e zotit Biden.
Zoti Trump, 78 vjeç i cili është shfaqur i sigurtë, do të vazhdojë fushatën, përpara se të shkojë në rezidencën e tij në Florida javën e ardhshme, ku për dy ditë pritet të ketë takime private në kuadër të përgatitjejs së tij jo zyrtare për debatin.
Aleatët e ish-presidentit po e nxisin atë që të përqendrohet në programin e tij qeverisës, por presin që ai të të vihet në provë me pyetje direkte mbi qëndrimet e tij të vendosura mbi manipulimin e zgjedhjeve, rolin e tij në kufizimin e së drejtës për abort në SHBA, si edhe në sfidat e pashembullta ligjore ndaj tij.
Debati në rrjetin televiziv CNN do të jetë i pari mes dy kandidatëve dhe mund të t’i japë një tjetër drejtim garës presidenciale.
Nuk ka ndodhur kurrë më parë në epokën moderne që dy kandidatët të përballen në debat në një periudhë kaq të hershme të ciklit zgjedhor.
Kurrë më parë, dy konkurentë për Shtëpinë e Bardhë nuk kanë qenë të një moshe të tillë, që te ketë nxitur pikëpyetje nëse janë në gjendje ta drejtojnë vendin.
Po kështu nuk ka ndodhur kurrë më parë që një kandidat për president të jetë shpallur fajtor për vepra penale.
Debati zhvillohet vetëm dy javë para se të jepet masa e dënimin nga Gjykata e Nju Jorkut pas shpalljes fajtor të zotit Trump për 34 akuza penale.
“Ky do të jetë debati më i rëndësishëm që mund të kem ndjekur gjatë gjithë jetës”, thotë Jim Messina, i cili menaxhoi fushatën e Presidentit Barak Obama në vitin 2012.
Trysnia mbi Presidentin Biden
Rregullat për debatin e 27 qershorit, të parin ndër dy debatet e planifikuara, janë të pazakonshme.
Kandidatët ranë dakord për t’u takuar në studiot e televizionit CNN në Atlanta pa praninë e publikut. Mikrofonat do të jenë të mbyllur dhe do hapen vetëm kur është radha për të folur. Kandidatët nuk do të lejohen të kenë blloqe shënimesh me vete. Kandidatët do të pajisen me nga një stilograf dhe bllok, për të mbajtur shënime dhe një shishe uji.
Nuk do të ketë fjalim hyrës. Në bazë të shortit të hedhur, zoti Biden do të qëndrojë në anën e djathtë të skenës, ndërsa zoti Trump do të bëjë deklaratën e fundit në mbyllje të debatit. Debati i dytë do të mbahet në shtator.
Zoti Biden arriti në vendpushimin presidencial Kamp Dejvid të enjten në mbrëmje dhe pritet të qëndrojë aty bashkë me këshilltarët e tij dhe zyrtarët e lartë të fushatës deri në ditën e debatit. Ndërkohë që po udhëtonte drejt vendpushimit malor, ai u përgjigj pyetjeve të gazetarëve se si po shkojnë përgatitjet për debatin duke ngritur gishtin lart në shenjë pohimi.
Këshilltarët e presidentit nuk kanë dhënë detaje rreth përgatitjeve, të cilat po i udhëheq ish shefi i kabinetit të tij, Ron Klain. Por ata kanë dhënë shenja se zoti Biden po përgatitet të jetë agresiv dhe se nuk do të hezitojë të përdorë emërtimin “kriminel i dënuar” për rivalin e tij.
Një këshilltar, që nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për strategjinë e debatit, theksoi se zoti Biden së fundmi është treguar më i rreptë në deklaratat e tij rreth zotit Trump dhe se planifikon të vazhdojë në këtë mënyrë edhe në debat. Ai po e bën këtë, ndërkohë që po përpiqet ta paraqesë veten si “udhëheqësi i mençur dhe i qëndrueshëm” në krahasim me zotin Trump, sipas këshilltarit.
Sipas disa komentuesve politikë, ekziston një ndjenjë se zoti Biden mund të humbasë më shumë për shkak të vështirësive për të krijuar energji të re përballë shenjave të lodhjes brenda koalicionit të tij politik. Megjithatë, zoti Trump dhe aleatët e tij kanë krijuar një pritshmëri jashtëzakonisht të ulët, duke pretenduar për muaj të tërë se zoti Biden po përballet me kufizime serioze fizike që e bëjnë të pamundur qëndrimin e tij në këmbë për 90 minuta, apo aftësinë për të lidhur dy fjali.
“Është si prova me pasqyrë. Vendos një pasqyrë nën hundën e zotit Biden dhe nëse ajo vishet me mjegull, kaq mjafton që ai të fitojë. Kjo është pak a shumë pritshmëria për zotin Biden”, tha me të qeshur strategu republikan dhe aleatit i zotit Trump, David Urban. “A mund të dëshmojë zoti Biden se është i aftë mendërisht? Kjo është pyetja më e rëndësishme”, shton ai.
Megjithatë, në një intervistë të enjten zoti Trump synoi të ndryshonte pritshmëritë, duke mos përdorur karakterizimet e deritanishme për zotin Biden. Ai tha se zoti Biden “e shkatërroi” në debatin e nën-presidentëve të vitit 2012, republikanin Paul Ryan.
“Supozoj se do të jetë dikush me të cilin ia vlen të debatosh”, u shpreh zoti Trump për zotin Biden. “Nuk dua ta nënvleftësoj”.
Këshilltarët e zotit Biden i kanë hedhur poshtë shqetësimet për moshën dhe aftësitë mendore të tij. Ata po luftojnë kundër atyre që i quajnë video-regjistrime mashtruese që krijojnë përshtypjen që zoti Biden është i hutuar.
Por ndërkohë që disa demokratë përpiqen të tregojnë vetëbesim, aleatët e zotit Biden gjithashtu thonë se fakti që ai e ka kaluar shumicën e dy javëve të fundit duke udhëtuar – në Evropë dhe në pjesën perëndimore të Amerikës – i ka kufizuar mundësinë për t’u përgatitur për debat. Të tjerët thonë se presidentët aktualë gjithnjë e kanë më të vështirë në fillim të debateve zgjedhore.
Përpjekjet e Donald Trump-it për të projektuar besim
Ekipi i ish-presidentit Trump e sheh përballjen si një mundësi për të treguar kontrastin e qartë me aftësitë udhëheqëse dhe rezultatet në qeverisje të presidentit Biden.
Ndërsa i kushtojnë pak rëndësi përgatitjes së tij, ndihmësit e zotit Trump, duket se po përpiqen të tregojnë se ai nuk përgatitet për debate, kur në fakt, përgatitet – por në mënyrën e tij.
Në vend të një debati me tone shpotitëse, predikuese e të tejzgjatura, ish-presidenti pritet të mbështetet në një seri diskutimesh rreth politikave dhe strategjive, të hartuara me ndihmësit dhe aleatët e tij politikë.
Zoti Trump do të bëjë disa dalje publike edhe gjatë ditëve në vijim.
Të shtunën, ai do të zhvillojë një tubim në Filadelfia dhe do të mbajë një fjalim të rëndësishëm në një konferencë të konservatorëve të krishterë në Uashington. Ai gjithashtu do të ketë një takim për mbledhje fondesh në Nju Orlins të hënën, përpara se të shkojë në residencën e tij Florida, për të tjera takime.
“Biden ka nevojë për bëjë prova me ata që e mbajnë për dore, për të gjetur një mënyrë për të shpjeguar këtë rrëmujë që ka bërë në vendin tonë”, tha zëdhënësi i zotit Trump, Brian Hughes. "Presidenti Trump është gjithmonë i përgatitur t'u paraqesë amerikanëve sukseset e tij, si dhe dobësitë dhe dështimet e Bidenit", shtoi ai.
Kampi i presidentit Biden është i vetëdijshëm se zoti Trump ka të ngjarë të përqendrohet tek djali i tij, Hunteri, siç bëri në skenën e debatit katër vite më parë, kur ishte ende president.
Hunter Biden u gjet fajtor kohët e fundit për tre akuza penale në lidhje me blerjen e një arme ndërsa dyshohet se ishte nën varësine e drogës. Republikanët kanë kritikuar gjithashtu marrëdhëniet e biznesit të Hunter Bidenin jashtë vendit, kur Joe Biden mbante detyrën e nënpresidentit.
Aleatët e zotit Biden janë të shqetësuar, se rivali i tyre mund të shfaqet me një sjellje të mirë gjatë debatit.
“Për të dyja fushatat, qëllimi është që ta përçojnë mesazhin tek audienca e votuesve të moderuar, të pavarur dhe të luhatshëm, në shtetet e pavendosura, të cilët në shumë mënyra do të jenë, faktori vendimtar në këto zgjedhje”, tha ish-zyrtari i administratës Biden, Bill Russo.
“Trumpi ka një lloj mundësie të artë në këtë rast. Nëse ai mund të arrijë të sillet si një person me arsye për 90 minuta ndërsa është në qendër të vëmendjes, do te fitonte shumë pikë”, shton zoti Russo. "Çelësi i vërtetë këtu është se cili prej "Trumpëve" do të paraqitet në debat".