NJU JORK – Koha po mbaron për kandidatin e pavarur Robert F. Kennedy Jr. që të kualifikohet për të marrë pjesë në debatin e parë televiziv për zgjedhjet presidenciale të këtij viti.
Kanali televiziv CNN, i cili do të organizojë debatin e 27 qershorit, thotë se vetëm presidenti Joe Biden dhe rivali i tij republikan Donald Trump kanë përmbushur kushtet për të marrë pjesë në debat: së pari, duke u renditur në fletëvotime në mjaftueshëm shtete për të patur një shans për të fituar presidencën; së dyti, duke marrë të paktën 15% mbështetje në katër anketime në nivel kombëtar.
Zoti Kennedy ka fituar mbi 15% mbështetje në vetëm tre anketime deri më sot dhe është kualifikuar për t’u renditur në fletëvotimet në gjashtë shtete. Sipas CNN-it, që është pjesë e rrjetit Warner Bros Discovery, kjo nuk i mundëson zotit Kennedy fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Zyrtarët e ekipit të tij elektoral thonë se ai është kualifikuar për të kandiduar në nëntë shtete dhe se ka mbledhur firma të mjaftueshme për të qenë në fletëvotimet e 14 shteteve të tjera dhe se ekziston mundësia që ai t’i fitojë zgjedhjet.
Robert F. Kennedy Jr., me profesion jurist për çështjet mjedisore, i cili ka përhapur dezinformim në lidhje me vaksinat, po tërheq mbështetës nga të dyja kahet e politikës. Nuk është ende e qartë nëse ai do të mund të tërheqë më shumë votues nga presidenti Biden apo nga ish-presidenti Trump.
Afati që kandidatët të kualifikohen për debatin është mesnata e së enjtes.
Zoti Kennedy ka paraqitur një ankesë tek Komisioni Federal i Zgjedhjeve (FEC) ku aludon se debati i kanalit CNN është i padrejtë dhe se është realisht një kontribut i paligjshëm elektoral për presidentin Biden dhe ish-presidentin Trump.
Zoti Kennedy ka thënë se presidenti Biden dhe ish-presidenti Trump “po përpiqen të më përjashtojnë nga debati sepse kanë frikë se unë mund të fitoj”.
Ekipi i tij elektoral i ka kërkuar FEC-së të marrë masa brenda ditës së enjte dhe ta ndalojë zhvillimin e debatit mes kandidatëve Biden dhe Trump në 27 qershor në kanalin CNN, nëse organizatorët nuk bëjnë ndryshimet e duhura.
Komisioni Federal i Zgjedhjeve (FEC) nuk pranoi të komentojë. Kjo agjenci u vështirësua rishtazi të marrë një vendim në lidhje me inteligjencën artificiale në fushatën zgjedhore të këtij viti dhe nuk ka marrë vendim për çështje të ngjashme gjatë zgjedhjeve të mëparshme, thonë ekspertët.
“Vetëm aplikimi për të qenë në fletëvotim nuk garanton se ai (zoti Kennedy) do të jetë në fletëvotimet në ndonjë shtet”, tha një zëdhënës i kanalit CNN. “Për më tepër, RFK Jr. nuk plotëson aktualisht kriteret tona të tjera objektive, të cilat janë përcaktuar përpara se të bëheshin ftesat për pjesëmarrje në debat”.
Ky vit zgjedhor vjen në një situatë pothuajse të paprecedentë. Organizatat e lajmeve kanë kontroll më të madh mbi kushtet dhe parametrat e dy debateve mes kandidatëve për president, krahasuar me të gjithë periudhën që nga viti 1960 kur filloi epoka e debateve presidenciale në televizion. Kanali ABC, pjesë e grupit Walt Disney, pritet të organizojë debatin e dytë në muajin shtator.
Gjatë kohëve të fundit, sponsori i debateve ka qenë Komisioni dypartiak për Debatet Presidenciale.
Presidenti Biden dhe ish-presidenti Trump, si kandidatë të pritshëm të Partive politike Demokrate dhe Republikane, kualifikohen pasi shumica e shteteve u lejojnë të jenë në fletëvotime automatikisht pa patur nevojë për të aplikuar, tha një zëdhënës i kanalit CNN.
Derek Muller, profesor i juridikut në Universitetin Notre Dame thotë se pjesëmarrja e një kandidati të pavarur si zoti Kennedy, mund të ofrojë një debat më substancial.
“Nëse thuhet se duhen kandidatë me mbështetje serioze për të peshuar çështje madhore, dhe ndërkohë merren me dy nga kandidatët më pak popullorë për president të të gjitha kohërave, atëherë debati mund të përfitonte patjetër nga një palë e tretë në skenë. E gjitha varet nga këndvështrimi që keni”, tha zoti Muller.
Në një anketim të bërë nga agjencia e lajmeve Reuters dhe firma Ipsos, rreth 41% e votuesve të regjistruar thanë se do të votonin për zotin Trump nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot dhe 39% zgjodhën zotin Biden.
10% e të pyeturve gjatë anketimit thanë se do të përzgjidhnin zotin Kennedy, nëse emri i tij do të ishte në fletëvotim, së bashku me kandidatët Trump dhe Biden.