Shtetet e Bashkuara vendosën të martën sanksione ndaj dy individëve dhe një rrjeti kompanish që sigurojnë pasuri për udhëheqësin e serbëve të Bosnjës Milorad Dodik dhe familjen e tij, përfshirë të birin, Igor Dodik.
Departamenti amerikan i Thesarit tha në një deklaratë se Milorad Dodiku shfrytëzoi presidencën e tij për të drejtuar kontratat e qeverisë në një rrjet prej shtatë kompanish private që mbikëqyren nga ai dhe i biri, të cilat formalisht kontrollohen nga individë besnik të tij..
Presidenti i pro rus i Republikës Serbe, Milorad Dodik, i cili prej kohësh kërkon shkëputjen e këtij entiteti nga Bosnja, tashmë është nën sanksionet e amerikane dhe britanike.
Në muajin tetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara sanksionuan dy fëmijët e tij të rritur, djalin Igor Dodik dhe vajzën Gorica Dodik si dhe kompanitë e tyre, duke thënë se lehtësuan korrupsionin e vazhdueshëm të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës.
Lexoni edhe këtë SHBA, sanksione ndaj anëtarëve të familjes dhe të mbështetësve të Milorad DodikutSanksionet përfshijnë edhe dy persona; Milenko Çiçiç dhe Gjorgje Gjuriç si dhe kompanitë: Infinity International Group, Infinity Media, K-2 Audio Services, Kaldera Company, Prointer Itss, Sirius 2010 dhe Una World Network.
Në njoftimin e Departamentit të Thesarit thuhet mes tjerash se në vitin 2024, Milorad Dodiku ka shfrytëzuar ndikimin e tij mbi disa zyrtarë të lartë të Bosnjës e Hercegovinës për të manipuluar projektbuxhetin shtetëror të Bosnjës, në mënyrë që një kontratë në nivel shtetëror ta fitonte Grupi Prointer ITSS, jashtë procesit konkurrues”.
Brian Nelson, nënsekretari i Thesarit, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shpërfaqin “skemat mashtruese që i mundësojnë Dodikut dhe familjes së tij të shfrytëzojnë njerëzit e tyre për përfitime personale”.
Shtetet e Bashkuara thonë se Dodiku ka dëmtuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995, që la pas vets mbi 100,000 të vrarë dhe miliona të zhvendosur. Në përfundim të luftës Bosnja u nda në dy rajone autonome, Republikën Serbe dhe Federatën Boshnjako-Kroate, të lidhura nëpërmjet një qeverie të dobët qendrore në Sarajevë.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë përpjekjet e vazhdueshme të Dodikut për të gërryer institucionet që kanë siguruar paqen dhe qëndrueshmërinë në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha zoti Nelson.
Milorad Dodiku mbështetet në përkrahjen e Rusisë në qëndrimet e tij, ndërsa ekziston një frikë e përhapur në Perëndim se Moska po përpiqet të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të rajonit për të zhvendosur të paktën një pjesë të vëmendjes botërore nga lufta e saj në Ukrainë.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller tha se Milorad Dodiku vazhdon të jetë një aktor destabilizues në rajon.
“Propozimi i tij i fundit për një "shkëputje" të Republikës Serbe paraqet vazhdimin e veprimtarisë së tij kundër Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe kërcënon paqen dhe qëndrueshmërinë e rajonit. Duke sulmuar kuadrin kushtetues të Bosnjës, Dodik kërcënon të ardhmen e vendit në institucionet euroatlantike”, tha zëdhënësi Miller.
Në muajin maj qeveria e Republikës Serbe tha se do të hartojë një marrëveshje që do t'i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për "ndarje paqësore". Paralajmërimi u bë në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e cila me 23 maj miratoi një rezolutë me të cilën shpalli 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995.
Lexoni edhe këtë SHBA: Shkëputja e Republikës Serbe nënkupton fundin e saj“Republika Serbe mund të ekzistojë vetëm brenda Bosnjës dhe Hercegovinës. Shkëputja ose ‘ndarja’ e Republikës Serbe nuk do të thotë pavarësi për të ose fund për Bosnjën, por fund për Republikën Serbe”, tha me 24 maj ambasada amerikane në Beograd.