Suedia dhe Irani shkëmbejnë të burgosur

Suedezi Johan Floderus i arrestuar në Iran

Zyrtarët thanë të shtunën se Suedia dhe Irani shkëmbyen disa të burgosur. Suedia liroi një ish-zyrtar iranian të dënuar për rolin në një ekzekutim masiv në vitet 1980, ndërsa Irani liroi dy suedezë që mbaheshin atje.

Shkëmbimi i të burgosurve u ndërmjetësua nga Omani, thuhet në një deklaratë të ministrisë së jashtme të këtij vendi. “Përpjekjet e Omanit bënë që të dyja palët të pajtoheshin për një shkëmbim të ndërsjellë, pasi të liruarit u transferuan nga Teherani dhe Stokholmi”, thuhet në deklaratë.

Suedia liroi ish-zyrtarin iranian Hamid Noury, i cili ishte dënuar për rolin në një ekzekutim masiv të të burgosurve politikë në Iran në vitin 1988. Agjencia zyrtare e lajmeve iraniane, IRNA, publikoi pamjet e mbërritjes së iranianit Noury në aeroportin Mehrabad të Teheranit, ku ai u prit nga familja e tij në një tapet të kuq.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, tha në një deklaratë se shtetasit suedezë Johan Floderus dhe Saeed Azizi, të cilët ishin ndaluar në Iran, ishin në një aeroplan drejt Suedisë.

“Irani i përdori të dy ata në një lojë negociatash cinike me qëllim që të siguronte lirimin nga burgu suedez të shtetasit iranian Hamid Noury. Ai është dënuar për krime të rënda të kryera në Iran në vitet 1980”, tha zoti Kristersson.

“Si kryeministër kam një përgjegjësi të veçantë për sigurinë e qytetarëve suedezë. Prandaj qeveria ka punuar intensivisht për këtë çështje, së bashku me shërbimet suedeze të sigurisë që kanë negociuar me Iranin”.

Hamid Noury, 63 vjeç, u arrestua në një aeroport të Stokholmit në vitin 2019 dhe më vonë u dënua me burgim të përjetshëm për krime lufte, për ekzekutimin masiv dhe torturimin e të burgosurve politikë në burgun Gohardasht në Karaj të Iranit, në vitin 1988. Ai i ka mohuar akuzat.

Hamid Noury u tha gazetarëve se rasti i tij kishte qenë i ndërlikuar dhe i ndjeshëm. “Ata thanë se as Zoti nuk mund ta lirojë Hamid Noury-n, por ai e bëri këtë”, tha ai për gazetarët pas mbërritjes në Iran.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, një koalicion grupesh që kundërshtojnë qeverinë e Republikës Islamike të Iranit, tha se duket se Suedia është dorëzuar përpara taktikave të shantazhit dhe marrjes së pengjeve, një veprim që do të inkurajonte Teheranin.

Avokati Kenneth Lewis, i cili përfaqësonte disa paditës në çështjen e zotit Noury në Suedi, tha se klientët e tij nuk ishin konsultuar dhe ishin "tmerruar” nga lirimi i tij.

“Kjo është një fyerje për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këto gjyqe”, tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters.

Johan Floderus, punonjës i Bashkimit Evropian, u arrestua në Iran në vitin 2022 nën akuzat për spiunazh për Izraelin dhe "korrupsion në Tokë", një krim që dënohet me vdekje.

Saeed Azizi, me shtetësi suedeze dhe iraniane, u arrestua në Iran në nëntor të vitit 2023, në atë që Suedia e quajti "shkak të gabuar".

Ahmadreza Djalali, me shtetësi suedeze dhe iraniane, u arrestua në vitin 2016 dhe mbetet në një burg iranian. Mjek i urgjencës, Djalali, u arrestua në vitin 2016 ndërsa po zhvillonte një vizitë akademike në Iran.