Komisioni për reformat nis nga puna, megjithë mungesën e opozitës

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryetari i komisionit të posaçëm për reforma, Fatmir Xhafaj

Komisioni i posaçëm parlamentar për thellimin e reformave, mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin zhvilloi sot në Tiranë mbledhjen e parë me pjesëmarrjen vetëm të deputetëve të shumicës, ndërsa pesë vendet e opozitës përballë ishin bosh.

Kryetari i këtij komisioni Fatmir Xhafa tha se qëllimi është thellimi i reformave shtetformuese për mirëqeverisjen e vendit, forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit për të bërë Shqipërinë në vitin 2030 anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.

Ai shprehu bindjen se do të jetë një proces gjithëpërfshirës në rrafshin politik, institucional dhe social, ndaj ftesa është e hapur për të gjithë faktorët.

“Roli i opozitës është tejet i rëndësishëm. Pjesëmarrja e saj në këtë proces është me rëndësi. Jam i keqardhur që opozita nuk i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese për bashkëpunim, këtij detyrimi të përbashkët për pjesëmarrje dhe angazhim në këtë komision, sepse këtu do të trajtohen çështje me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit dhe që shkojnë përtej interesave partiake”, tha zoti Xhafa.

Ai kujtoi se njëlloj si sot opozita nuk mori pjesë në vitin 2014 kur nisi punën komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, edhe pse e kishte votuar ngritjen e tij, por iu bashkua më vonë procesit.

“Koha tregoi se ata gabuan dhe kjo sjellje u kushtoi shumë politikisht dhe elektoralisht. Shpresoj shumë që kjo histori të mos përsëritet dhe shumë shpejt ta kemi opozitën midis nesh”, tha zoti Xhafa.

Ai premtoi se ky do të jetë një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe profesional nga të gjithë fushat akademike, sociale, biznesi dhe grupet e interesit.

Diplomacia amerikane dhe europiane në Tiranë kanë këmbëngulur tek nevoja e gjithëpërfshirjes në procesin përmes së cilit, shumica socialiste e kryeministrit Edi Rama, synon realizimin e një cikli të ri reformash që do të duhet të trajtojnë problemet e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit.

Dy përfaqësitë kryesore diplomatike në Tiranë komentuan për Zërin e Amerikës hapat e hedhur në parlament për këtë nismë, ku brenda katër ditësh u miratua rezoluta e më pas dhe ngritja e një komisioni të posaçëm.

Ambasada amerikane “vëren nxitimin me të cilin u kaluan në parlament rezoluta dhe vendimi”. Ndërsa Delegacioni i BE-së nga ana e tij, vë në dukje faktin që ngritja e komisionit u bë “pa mbështetjen e opozitës”.

Opozita ka shprehur skepticizëm të hapur ndaj kësaj nisme dhe bojkotoi votimin në parlament edhe të rezolutës edhe të ngritjes së komisionit.