Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë thanë të enjten se qeveritë e tyre janë të vëmendshme lidhur me dezinformatat nga vendet keqdashëse që kanë për synim të shkatërrojnë demokracitë dhe të drejtat e njeriut ndërsa bënë thirrje për bashkëpunim në ndalimin e tyre.
Këto komente u bënë në hapje të konferencës dyditëshe me temën: “Integriteti i informacionit dhe Inteligjenca Artificiale: Ndikimi në një vit zgjedhjesh globale”, e organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik me seli në Shtetet e Bashkuara.
Your browser doesn’t support HTML5
Përgjatë punimeve u paraqitë edhe një raport ku theksohet se ka rritje të cenueshmërisë ndaj dezinformimit dhe ndikimit të jashtëm në Kosovë, krahasuar me dy vjet më parë. Në raportin e hartuar nga organizata Demokraci Plus për Institutin Kombëtar Demokratik theksohet se dezinformimi është një kërcënim i madh për demokracinë dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hoveneir tha se megjithëse inteligjenca artificiale mund të lehtësojë disa procese zgjedhore te vendet demokratike, ajo po përdoret nga vende keqdashëse për të dëmtuar proceset zgjedhore në vendet demokratike.
“Por ajo që duam të shmangim dhe kemi nevojë për ndihmë kolektive, mendoj se është një qasje me shumë përpjekje, është se si të shmanget përdorimi i kësaj teknologjie për të privuar qytetarët nga aftësia e tyre për të formuar në mënyrë të pavarur opinione, për të marrë vendime të mbështetura në informacione të sakta, për shembull kur shkojnë në votime. Ne jemi të vetëdijshëm se fushatat e dezinformimit janë pjesë e përpjekjeve më të mëdha të aktorëve keqdashës për të dëmtuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut, dhe ne kemi nevojë urgjente për këtë, tha ambasadori Hovenier.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se bota demokratike është përballë një rreziku që nuk është parë për një kohë të gjatë.
“Dezinformimi paraqet një sfidë të rëndësishme politike dhe të sigurisë, duke paraqitur një rrezik për demokracitë dhe përpjekjet demokratike të vendeve në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimi i tij shtrihet mbi vendet individualisht, duke ndikuar në sigurinë tonë kolektive dhe rendin e bazuar në rregulla ndërkombëtare. Dezinformimi dobëson institucionet demokratike dhe ulë besimin e qytetarëve ndaj qeverisë, shtetit dhe mediave”, tha ai
Zoti Szunyog tha se ndryshe nga koha e Luftës së Ftohtë kur udhëheqësit autoritarë, popullistë dhe joliberal përpiqeshin të paraqesin një vizion alternativ dhe pozitiv të botës, tani ata po shpenzojnë shumë burime me synimin për dobësimin e demokracisë dhe rendit botëror liberal.
Ekspertët thonë se rreziku më i madh për Kosovën dhe Ballkanin nga dezinformimi është nxitja e përçarjes në shoqëri. Organizatat që merren me luftimin e dezinformatave thonë se Kosova përballet me dezinformata të ndryshme që vijnë nga shtetet mosnjohëse, posaçërisht nga Serbia dhe Rusia.
Rritja e dezinformatave në rajon bëri që në fund të muajit maj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të themelojnë një mekanizëm të përbashkët bashkërendues për Ballkanin Perëndimor, i cili do të përqendrohet tek lufta kundër manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve, përfshirë dezinformimin dhe propagandën që vjen nga Rusia dhe Kina.