Takimi i G7, Biden pritet të kërkojë përdorimin e pasurive të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën

Police officers stand outside the G7 Italy 2024 media center in Bari, Italy, on June 11, 2024.

Në takimin e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara të botës këtë javë, G-7, presidenti amerikan Joe Biden do të kërkojë arritjen e një marrëveshjeje për përdorimin e interesit nga pasuritë e ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën. Ai gjithashtu do të kërkojë unitet në trajtimin e sfidave globale si financimi i infrastrukturës, inteligjenca artificiale dhe mbiprodhimi kinez i artikujve të teknologjisë së gjelbër. Megjithatë, rritja e partive të djathta në zgjedhjet e fundit evropiane mund t’i ndërlikojë planet e tij.

Your browser doesn’t support HTML5

Ukraina, Kina dhe emigracioni pritet të jenë tema kryesore në takimin e G7



Ndërsa forcat ruse përparojnë në fushën e betejës në Ukrainë, dhe shtohet lodhja e taksapaguesve amerikanë dhe evropianë lidhur me financimin e luftës, Shtetet e Bashkuara duan që grupi i shtatë vendeve më të industrializuara t'i japë Kievit një hua prej 50 miliardë dollarësh, që do të paguhej me interesin e fituar nga pasuritë e ngrira ruse me vlerë rreth 280 miliardë dollarë në institucionet financiare perëndimore.

Presidenti Joe Biden bisedoi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Paris javën e kaluar.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen për vendin tuaj. Ju jeni një mburojë kundër agresionit rus”, tha Presidenti Biden.

Pas katërfishimit të tarifave për automjetet elektrike kineze dhe sektorët e tjerë kyç muajin e kaluar, Presidentit Biden tani dëshiron që G7 të përballet me praktikën e Pekinit për të përmbytur tregjet globale me eksporte të lira të këtyre industrive.

"Është kritike që ne dhe numri në rritje i vendeve që e kanë identifikuar këtë si një shqetësim të paraqesim një front të qartë dhe të bashkuar", tha Janet Yellen, Sekretare e Departamentit amerikan të Thesarit.

Megjithatë, fitorja e partive të ekstremit të djathtë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian gjatë fundjavës, ka dobësuar Presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, duke shtuar pasigurinë në qëndrimin e G7-ës ndaj Rusisë dhe Kinës.

Ursula von der Leyen po lufton për të siguruar një mandat tjetër në postin e Presidentes së Komisionit Evropian. Nëse ajo fiton një mandat të dytë, Evropa pritet të vazhdojë qëndrimin e saj të fortë ndaj Rusisë dhe Kinës.

“Por gjendja është e pasigurt me zgjedhjet e parakohshme në Francë, që Emmanuel Macron i shpalli pas humbjes në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Nëse e djathta ekstreme hyn në qeveri në Francë, atëherë do të kemi probleme jo vetëm me mbështetjen për Ukrainën, por edhe në frontin e Kinës”, thotë Liana Fix nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila do të jëtë mikpritëse e takimit të G7-ës, ka ftuar Papa Françeskun për të nxjerrë në pah kërkesën e Romës për zbatim të parimeve etike nga qeveritë dhe kompanitë për përdorimin e inteligjencës artificiale.

Frenimi i emigracionit në Evropë përmes investimeve në Afrikë është një tjetër çështje rëndësishme për kryeministren Meloni.

Nisma përputhet me Partneritetin e G7-ës për Infrastrukturën dhe Investimet Globale, që ka për qëllim të sigurojë 600 miliardë dollarë në fonde private për financimin e projekteve të infrastrukturës deri në vitin 2027 si një alternativë ndaj nismës kineze “Një Brez, një Rrugë”.

Fitorja e partisë së ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian e ka konsoliduar pushtetin e kryeministres Meloni.

“Jam krenare që ky vend prezantohet në G7 në Evropë me qeverinë më të fortë”, tha ajo.

Presidenti Biden niset për në Itali të mërkurën, një ditë pasi djali i tij Hunter Biden u shpall fajtor për tre vepra penale që lidhen me blerjen e një arme në vitin 2018, kur ai ishte përdorues droge.