Në Shqipëri, ka marrë fund përplasja e gjatë mes palëve në Partinë Demokratike se kush e përfaqësonte atë zyrtarisht. Gjykata e Apelit vendosi sot të mos pranojë ankimimin e bërë nga pjesa e drejtuar nga zoti Lulzim Basha, duke lënë kështu automatikisht në fuqi, vendimin e shkallës së parë i cili njohu Kuvendin e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, në dhjetor të vitit 2021, si dhe vendimet që pasuan me ngritjen e strukturave të reja partiake dhe një proces votimi që zgjodhi në krye si drejtues, zotin Berisha.
Trupa gjykuese nuk dha shpjegime mbi vendimin e marrë, i cili pritet të zbardhet me vonë, por duket se anëtarët e saj nuk kanë patur shumë dilema. Pasi u tërhoqën, ata e njoftuan verdiktin në më pak se një orë. Gjatë seancës gjyqësore, përfaqësuesi ligjor i Rithemelimit, Ivi Kaso, kërkoi pikërisht që të mos pranohej ankimimi i bërë nga zoti Enkelejd Alibeaj, duke arsyetuar se procesi në shkallën e parë kishte qenë pa palë, e për këtë arsye nuk legjitimohej në kërkesën drejtuar Apelit.
Zoti Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpe, reagoi përmes një postimi në Facebook. “Këtij vendimi historia do ti njohë meritën e madhe të parandalimit të një mënxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet”, shkruajti ai.
Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit, pozitat e zotit Basha dobësohen edhe më tej, pas rezultatit zhgënjyes që grupi i tij, i cili mbante siglën e PD-së, mori në zgjedhjet për pushtetin vendor më 14 maj të vitit të kaluar, e më tej kur në shtator humbi mbështetjen dhe të grupit parlamentar. Nën drejtimin e Gazmend Bardhit, pjesa dërrmuese e deputetëve u bashkua me mbështetësit e zotit Berisha në parlament.
Zoti Basha reagoi shkurtimisht pasdite, ndërsa po hynte në një mbledhje me drejtuest e Degëve, për te diskutuar pikërisht situatën e re të krijuar. Ai tha se demokratët kishin pritur një tjetër vendim, duke shtuar se “këtë betejë as nuk e kemi nisur dhe as nuk e vazhdojmë për logo, për vulë apo për karrige. Jemi bërë bashkë për diçka shumë më të madhe. Kjo është një betejë shpritrash të bashkuar për idealet e dhjetorit, me të cilat ka lindur Partia Demokratike e Shqipërisë. Për idealet e atyre të cilët u flijuan në rezistencën antikomuniste. Për të përndjekurit politik, për pronarët, për shtresën e mesme shqiptare, për familjet shqiptare dhe sot është më e qartë se kurrë që shqipëria meriton ndryshe, meriton më mirë, meriton më shumë. Ndaj ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë dhe nuk kemi pak në dorë, që mos ta shpërdorojmë këtë besim shpirtrash, qindra e mijëra njerëz që besojnë në një të ardhme më të mirë për vendin, por të vazhdojmë betejën tonë, të vazhdojmë përpjekjet tona për një Shqipëri të mirë”.
Zoti Basha mund të ankimojë vendimin e sotëm në Gjyatën e Lartë, ndërsa vula dhe përfaqësimi zyrtar i Partisë Demokratike nuk është më në dorën e tij, dhe do të jetë i detyruar, ta vazhdojë “betejën” për të cilën flet, nën emrin e një force të re politike.
Ish kryeministri Berisha, nuk humbi kohë për t’iu drejtuar me një thirrje të gjithë demokratëve që të bashkohen. “Sot është ditë e mirë edhe për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike, me Flamurin e saj, pasi ky moment u heq atyre hendekun e ndarjes me shumicën e vëllezërve dhe motrave të tyre! Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar”, shkruajti zoti Berisha.
Në mars të vitit 2022, Gjykata e shkallës së parë i dha të drejtë Rithemelimit dhe lëvizjes së ndërmarrë nga zoti Berisha, si një reagim ndaj përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i Partisë me vendim të kryetarit të atëhershëm Basha për shkak të shpalljes “non grata” të ish kryeministrit, nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Vendimi u ankimua në Gjykatën e Apelit, së cilës iu desh një vit për të vendosur që çështja të rikthehej në Shkallën e parë. Por zoti Berisha e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë. Në dhjetor të vitit të kaluar, kjo Gjykatë e riktheu rastin sërish në Apel, duke urdhëruar që të kishte një tjetër trupë gjykuese.