Stërvitjet e përbashkëta synojnë forcimin e sigurisë së Finlandës përballë kërcënimit rus

Më 31 maj, trupat amerikane përfunduan stërvitjet e para të mbajtura ndonjëherë për përforcimin e pjesës veriore të Finlandës në rast të një sulmi të Rusisë. Norvegjia dhe Finlanda së fundmi nënshkruan marrëveshje mbrojtjeje me ushtrinë amerikane, duke i dhënë asaj qasje në bazat në pjesët e thella veriore të territoreve të tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Wilkins bisedoi me ministrin finlandez të mbrojtjes dhe oficerët amerikanë për rëndësinë që ka kjo stërvitje e përbashkët për rajonin.


Helikopteri ‘Black Hawk’ po simulon një evakuim mjekësor si pjesë e stërvitjes të përvitshme ‘Northern Forest 24’, që këtë vit po mbahet në Finlandë. Shtetet e Bashkuara dërguan 2,000 ushtarë për të marrë pjesë në këtë stërvitje, hera e parë që ato dërgojnë kaq shumë trupa për stërvitje. Ushtarët udhëtuan si pjesë e një autokolone përmes Norvegjisë dhe Suedisë, duke simuluar përforcimin e Finlandës, njëra nga anëtaret më të reja të NATO-s, në rast sulmi. Është hera e parë që ky vend bën një manovër të tillë.

I pyetur se cilat ishin sfidat me të cilat ushtarët amerikanë u përballën ndërsa po operonin në veri të Arktikut për herë të parë, një ushtar amerikan u përgjigj....

“Shkarkimi i shpejtë i varkave. Kishte kohë që nuk e kishim bërë një gjë të tillë. Pastaj për shumë ushtarë sfidë ishte përshtatja me klimën e ftohtë, ngaqë nuk jemi mësuar me të.”

Ekzistojnë shqetësime serioze rreth synimeve gjeopolitike të Rusisë në rajon që prej sulmit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022.

Norvegjia dhe Finlanda, të cilat kufizohen me Rusinë, kanë nënshkruar marrëveshje mbrojtjeje me Shtetet e Bashkuara në muajt e fundit, duke u dhënë forcave amerikane qasje në bazat dhe zonat e stërvitjes në pjesët e thella veriore të dy vendeve, siç është baza e Rovajarvit.

Norvegjia është vend anëtar i NATO-s që nga viti 1949, por Finlanda është anëtarësuar në aleancë vitin e kaluar.

Forcat amerikane morën pjesë në stërvitje edhe për t’u siguruar që ushtritë mund të operojnë së bashku. Sipas rregullave të NATO-s, nëse një vend anëtar sulmohet, të gjithë aleatët pritet të ndihmojnë për ta mbrojtur.

Shtetet e Bashkuara historikisht e kanë konsideruar Finlandën si partnere, por statusi i saj si vend anëtar i NATO do të thotë se angazhimi amerikan ndaj saj është shumë më i madh.

“Ne kishim një partneritet shumë të fuqishëm me Finlandën edhe para se të ishim pjesë e NATO-s dhe ky është vetëm një zgjerim i atij partneriteti dhe i aftësive të përgjithshme. Jemi të lumtur për bashkëpunimin tonë në të ardhmen.”

Ministri finlandez i mbrojtjes, Antti Hakkanen, thotë se Rusia nuk duhet t’i trajtojë stërvitjet si provokim.

“Ka të bëjë vetëm me mbrojtjen tonë. Secili vend ka të drejtën të stërvitet dhe të trajnojë ushtrinë me aleatët e NATO-s, ky është mesazhi ynë.”

Deri në vitin 2022, Finlanda ka patur marrëdhënie të mira me Rusinë, para se të merrte vendimin për t’u anëtarësuar në NATO pas sulmit të gjerë rus ndaj Ukrainës. Moska e ka quajtur anëtarësimin e Finlandës në NATO një gabim të rrezikshëm historik që do të dobësojë sigurinë e gjithë rajonit dhe do të shtojë gjasat për një konflikt.