Masakra e Sheshit Tienanmen në regjistrimet e Zërit të Amerikës

Kjo javë shënon 35 vjetorin e demonstratave pro-demokracisë në sheshin Tienanmen të Pekinit, të cilat përfunduan me gjakderdhje. Zëri i Amerikës ishte burimi kryesor i informacionit dhe lajmeve në atë kohë për kinezët.

Një moment i përgjakshëm në kohë i përjetësuar në gjuhën kineze dhe në anglisht.

Your browser doesn’t support HTML5

Masakra e Sheshit Tienanmen në regjistrimet e Zërit të Amerikës


“Një student 20-vjeçar, i cili ishte në sheshin Tiananmen kur mbërritën trupat para agimit, i tha Zërit të Amerikës se iu deshën gati dy orë për t'u larguar duke u zvarritur nga sheshi, për t’u shpëtuar plumbave. Ai tregon se pa qindra trupa rrugës. Studenti thotë se kushdo që ngrihej në këmbë ose lëvizte, qëllohej nga ushtarët”, raportonte në atë kohë Al Pessin, shefi i atëhershëm i Zyrës së Zërit të Amerikës në Pekin.

Zëri i Amerikës i gjeti kasetat e vjetra në Bibliotekën Harvard-Yenching në Kembrixh të Masaçusetsit.

Ky vit shënon 35 vjetorin e masakrës. Për gazetarin Pessin, ajo ditë ishte e veçantë për një arsye tjetër.

“4 qershori 1989 ishte ditëlindja e parë e djalit tim”, kujton ai.

Gazetari po xhironte videon e festës së ditëlindjes së djalit në shtëpi.

"Kam videon e të gjithë fëmijëve të vegjël dhe prindërve të tyre në dhomën e ndenjies, dhe më pas objektivi drejtohet nga dritarja dhe regjistron tanket dhe ushtarët nëpër rrugët e qytetit”, rrëfen Al Pessin.

Gazetari thotë se në atë kohë, Kina ishte ende nën hijen e revolucionit kulturor, në përpjekje për të lënë pas eksperimentin utopik të udhëheqësit kinez Mao Ce Dun. Reformat ekonomike kishin filluar të jepnin rezultat, reformat politike ishin të ngadalta.

Protestat kishin filluar të shfaqeshin që në vitin 1986. Studentët kërkonin zgjedhje demokratike dhe gazeta të pavarura.

Më pas reformisti Hu Yaobang vdiq nga një goditje në zemër në prill 1989 dhe kjo i hapi rrugë një lëvizjeje të pashembullt pro-demokracisë në të gjithë Kinën.

Al Pessin kujton një rast kur kishte dalë me makinë gjatë njërës prej demonstratave që çuan në masakër.

"Papritur, grupe të organizuara filluan të marshojnë rreth nesh nga pas makinës dhe duke rrethuar makinën, duke dalë para saj. Ata mbanin pankarta që identifikonin secilin grup. Dhe rezultoi që ata nuk ishin studentë, ishin punëtorë.”

Në fund, demonstruesit u qëlluan me armë zjarri.

“Një student pa katër studente që u luteshin ushtarëve që të mos i vrisnin", thotë Pessin.

“Ai thotë se një nga studentet kapi nga këmba një ushtar i cili u përgjigj duke e goditur me bajonetë. Ai pa ushtarët të ekzekutonin tre të tjerët me armë”, vazhdon ai rrëfimin.

Autoritetet kineze janë përpjekur ta zhdukin këtë histori. Përmendja e incidentit është tabu në Kinë. Pas perdes së hekurt të informacionit, shumë kinezë sot nuk e dinë se çfarë ka ndodhur.

“Qeveria i burgos të gjithë ata patriotë që duan të sjellin ndryshimin”, thotë Luo Shengchun, e cila tani jeton në Shtetet e Bashkuara thotë se ka shpresë për një të ardhme të ndryshme për vendin e saj.

“Unë besoj se Kina do të përmirësohet sepse edhe dikush si unë që nuk i interesonte fare politika, tani do që qeveria të rrëzohet. Une dhe burri im, jemi të dy optimistë.”

Optimistë se idealet që çuan në vdekjen e studentëve në sheshin Tiananmen do të realizohen… dhe se gazetarët që njoftuan për ngjarjet e asaj dite, do ta mbajnë gjallë kujtimin e tyre.