Kufizime të reja për azilkërkuesit në kufirin SHBA-Meksikë

Biden Immigration

Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi të martën një urdhër të ri ekzekutiv, që do të kufizojë përkohësisht të drejtën për të kërkuar azil në kufirin SHBA-Meksikë sa herë që numri i emigrantëve që kalojnë në mënyrë të paligjshme ose pa autorizim arrin një mesatare ditore prej 2500 vetësh.

Sipas urdhrit ekzekutiv të Presidentit Biden, ata që hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme nuk do të kenë të drejtë për azil nëse nuk kanë arsye të jashtëzakonshme për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara.

“Këto masa nuk do të rregullojnë sistemin tonë të imigracionit, por ato mund të na ndihmojnë shumë në menaxhimin më të mirë kësaj sfide të vështirë”, tha Presidenti Biden në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë.

Joe Biden

Sipas zyrtarëve amerikanë, kufizimet e përkohshme të numri të atye që do të kenë të drejtë të kërkojnë azil do të hyjnë në fuqi kur mesatarisht të hyjnë mbi 2500 imigrantë në vend dhe ato do të pezullohen kur kjo shifër arrin nën 1500 vetë në ditë.

Këto kufizime hyjnë në fuqi menjëherë. Të dhënat e raportuara fillimisht nga kanali “CBS News” tregojnë se zyrtarët e Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara ndaluan 3000 imigrantë më 20 maj, dhe një mesatare prej 3700 imigrantësh në ditë gjatë 21 ditëve të para të majit.

Kush preket nga urdhëri i Presidentit Biden?

Të gjithë imigrantët, pa dallim kombësie, që hyjnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme përmes kufirit jugor preken nga ky urdhër.

Ndërsa kufizimet janë në fuqi, imigrantët që kalojnë kufirin jugor dhe u nënshtrohen procedurave për largim të përshpejtuar do të referohen për një kontroll të besueshëm tek një zyrtar azili vetëm nëse kanë frikë se mund të jenë në rrezik nëse kthehen në vendin e tyre.

Bëhet fjalë për "frikë nga përndjejkjet, tortura, apo një nga kushtet e tjera të aplikimit për azil", tha një zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të martën.

Por, nuk është e lehtë për imigrantët që të ngrejnë zërin, sepse shumica e tyre nuk flasin anglisht, thonë aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të imigrantëve.

“Ata nuk flasin gjithmonë anglisht. Ata nuk e dinë gjithmonë se cila është mënyra se si duhet të kërkojnë siguri”, tha për Zërin e Amerikës Amy Fischer, drejtore për të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve në organizatën “Amnesty International USA”.

Zyrtari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, i cili foli në kushte anonimiteti, e trajtoi edhe çështjen e dëbimit të imigrantëve.

"Këto masa do të zbatohen si për individët nga hemisfera jonë ashtu edhe për migrantët e hemisferës lindore. Për sa i përket kthimeve në Meksikë, ne do të vazhdojmë të dëbojmë shtetasit e Kubës, Haitit, Nikaraguas dhe Venezuelës, bazuar në marrëveshjen tonë të mëparshme", tha ai.

Përjashtimet

Disa imigrantë janë të përjashtuar nga këto kufizime, duke përfshirë fëmijët e pashoqëruar, viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, imigrantët që përballen me urgjenca mjekësore dhe ata me viza të vlefshme ose leje për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Personat që përdorin procese të ligjshme hyrjeje, si aplikacioni celular “CBP One” i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit apo rrugë të tjera të ligjshme, nuk do të preken nga ky urdhër.

Pasojat

Ata që kalojnë në mënyrë të paligjshme pas hyrjes së këtyre kufizimeve në fuqi dhe nuk kanë një arsye për të vërtetuar se mund të përballen me përndjekje apo torturë në vendin e tyre, do të “largohen menjëherë dhe atyre do t'u ndalohet hyrja në SHBA për një periudhë pesë vjeçare dhe mund të përballen me akuza penale”, tha zyrtari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Pse tani?

Gjatë një telefonate me gazetarët, zyrtarët nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe ata nga Departamenti i Drejtësisë thanë se këto kufizime ishin të nevojshme, sepse gjatë muajve të verës zakonisht ka një rritje të fluksit të imigrantëve në kufirin jugor.

Qëndrimi më i ashpër për sigurinë kufitare është gjithashtu një përgjigje ndaj një shqetësimi të shtuar për çështjen e imigracionit mes votuesve amerikanë përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Kritikat

Disa republikanë thanë se Presidenti Biden lëshoi këtë urdhër ekzekutiv për shkak të zgjedhjeve presidenciale.

"Jemi vetëm disa muaj nga dita e zgjedhjeve dhe presidenti shpreson se lëshimi i një urdhëri ekzekutiv do të dëshmojë se ai është i shqetësuar nga kjo krizë dhe po përpiqet të gjejë një zgjidhje për këtë", tha udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell.

Aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të imigrantëve e kritikuan ashpër urdhërin, duke e konsideruar atë "një shkatërrim total" të mbrojtjes që ofrojnë politikat e azilit.

Aktivistja Fischer, nga organizata “Amnesty International”, tha se ky urdhër ekzekutiv do të pengojë qasjen e më shumë njerëzve në procesin e kërkesave për azil dhe do ta bëjë më të vështirë për njerëzit që të artikulojnë kërkesat e tyre.

“Urdhëri nuk eliminon njerëzit që bëjnë kërkesa të rreme apo joefektive për azil. Ai godet njerëzit më të pambrojtur”, shtoi zonja Fischer.

Unioni Amerikan i Lirive Civile tha se do të ngrejë padi kundër masave kufizuese të këtij urdhëri të Presidentit Biden.

“Ne synojmë ta kundërshtojmë këtë urdhër në gjykatë. Ishte e paligjshme kur zoti Trump e bëri këtë, dhe kjo gjë nuk është aspak e ligjshme tani”, tha Lee Gelernt, zëvendësdrejtor i Projektit të të Drejtave të Emigrantëve në Unionin Amerikan të Lirive Civile, përmes një emaili drejtuar gazetarëve.

Zyrtarët e administratës së Presidentit Biden nuk pajtohen me këtë. Ata thonë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t'u përmbahen detyrimeve dhe angazhimeve të tyre ndërkombëtare.

“Këto hapa do të forcojnë sistemin e azilit, duke penguar mbingarkimin e tij nga ata që nuk kanë pretendime legjitime. … Por ne e kemi të qartë se veprimet e sotme ekzekutive nuk janë një zëvendësim i Kongresit, i përpjekjeve për të miratuar një projektligj më të ashpër me mbështetje dypartiake të Senatit, i cili do të kishte forcuar ndjeshëm pasojat e tanishme të kalimit të paligjshëm të kufirit”, tha zyrtari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare.