Prokurori i përgjithshëm ligjvënësve: “Nuk do të frikësohem”

Prokurori i përgjithshëm Merrick Garland duke folur gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Gjyqësorin në Dhomën e Përfaqësuesve (4 qershor 2024)

UASHINGTON – Prokurori i përgjithshëm Merrick Garland dënoi të martën ato që i quajti sulme të paprecedenta ndaj Departamentit të Drejtësisë, duke u thënë ligjvënësve republikanë që synuan ta shpallnin fajtor për mospërfillje të Kongresit, se ai “nuk do të frikësohet”.

Përpara një komisioni të drejtuar nga aleatë të ish-presidentit Donald Trump, zoti Garland dënoi “teorinë e konspiracionit” se Departamenti i Drejtësisë fshihej pas procesit penal ndaj zotit Trump në Nju Jork, ku ish-presidenti republikan u gjend fajtor për 34 akuza penale. Ai gjithashtu refuzoi ato që i quajti “falsitete të pabaza dhe jashtëzakonisht të rrezikshme” ndaj strukturave të zbatimit të ligjit.

Deklaratat e forta gjatë dëshmisë së pazakontë shërbyen si një mbrojtje e vendosur e pavarësisë dhe integritetit të Departamentit të Drejtësisë, mes kritikave të shumta nga ish-presidenti Trump dhe aleatët e tij ndaj sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara. Zoti Garland tha se sulmet ndaj Departamentit të Drejtësisë “nuk kanë influencuar dhe nuk do të influencojnë vendimmarrjen tonë”.

“Unë nuk do të frikësohem”, tha zoti Garland. “Dhe Departamenti i Drejtësisë nuk do të frikësohet. Do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, të lirë nga influencat politike. Dhe nuk do të tërhiqemi nga mbrojtja e demokracisë sonë”.

Dëshmia e prokurorit të përgjithshëm u bë ndërsa ligjvënësit republikanë kërkojnë që ta shpallin atë fajtor për mospërfillje të Kongresit, për shkak të refuzimit të administratës së presidentit Biden për të dorëzuar regjistrimin zanor të intervistës së presidentit me prokurorin e posaçëm Robert Hur, që u përqëndrua tek menaxhimi nga presidenti i dokumentave të klasifikuara.

Një transkript i intervistës së presidentit Biden është bërë publik, por presidenti ushtroi muajin e kaluar të ashtuquajturin privilegj ekzekutiv për të mos lejuar publikimin e regjistrimit zanor. Shtëpia e Bardhë ka thënë se ligjvënësit republikanë e kërkojnë regjistrimin zanor vetëm për të shkëputur pjesë të caktuara dhe për t’i përdorur për qëllime politike.

Departamenti i Drejtësisë ka shprehur qëndrimin se dëshmitarët mund të kenë më pak vullnet për të deponuar nëse e dinë se intervistat e tyre mund të bëhen publike. Prokurori i përgjithshëm Garland u tha ligjvënësve se “nuk do të rrezikoj mundësitë e prokurorëve dhe agjentëve tanë për ta bërë punën e tyre me efikasitet në hetimet e ardhshme”.

Ligjvënësi kryesor republikan në këtë komision, Jim Jordan, kritikoi zotin Garland në deklaratën hapëse për një seri vendimesh të strukturave ligjzbatuese, vendime të cilat ai i përshkroi si të motivuara politikisht. Ndër të tjera, ai përmendi konkluzionet e disa prokurorëve të posaçëm se ish-presidenti Trump bëri shkelje me menaxhimin e dokumentave të klasifikuara, por jo presidenti Biden.

Kryetari i komisionit, ligjvënësi republikan Jim Jordan

“Shumë amerikanë besojnë tashmë se ekziston një standart i dyfishtë në sistemin tonë të drejtësisë. E besojnë sepse ekziston”, tha ligjvënësi Jordan.

Ligjvënësi Matt Gaetz, ndaj të cilit Departamenti i Drejtësisë bëri hetime por nuk ngriti padi në lidhje me një akuzë për trafikim, pati një shkëmbim të tensionuar gjatë seancës dëgjimore. Ai kërkoi të dijë nëse Departamenti i Drejtësisë do t’i bëjë të disponueshme të dhënat për çështjen gjyqësore në Nju Jork nga e cila u shpall fajtor ish-presidenti Trump javën e kaluar.

Ligjvënësi Matt Gaetz

Zoti Garland i refuzoi si false akuzat nga ligjvënësi Gaetz se pati dërguar në zyrën e prokurorisë së Manhatanit, një jurist të Departamentit të Drejtësisë, i cili më vonë u bë pjesë e ekipit hetimor për ish-presidentin Trump. Prokurori i përgjithshëm këmbënguli se nuk kishte të bënte aspak me këtë.