Përzgjidhet juria për gjyqin ndaj Hunter Biden-it

APTOPIX Hunter Biden

UILLMINGTON, Dellauer – Të hënën u përzgjodh juria për padinë federale ndaj djalit të presidentit Joe Biden, Hunter Biden, pasi kandidatët për anëtarë të jurisë u morën në pyetje për mendimet që kanë rreth së drejtës për mbajtje armësh dhe për ndërvarësinë nga drogat. Gjatë gjithë procesit, zonja e parë Jill Biden ndiqte nga radha e parë e vendeve në sallën e gjyqit, ku qëndronte në formë mbështetjeje për djalin e saj. Deklaratat fillestare në këtë proces gjyqësor pritet të bëhen të martën.

Brenda së hënës u përzgjodhën 12 anëtarë jurie dhe katër anëtarë zëvendësues.

Hunter Biden-i, i cili e kaloi fundjavën me prindërit, akuzohet në shtetin Dellauer për tre vepra penale në lidhje me blerjen e një arme në vitin 2018, kur ai pati shkruar në kujtimet e tij se ishte nën varësinë e drogës. Ai akuzohet se ka gënjyer një shitës të liçencuar të armëve, duke bërë deklarata false në aplikimin e tij, ku ka deklaruar se nuk ishte përdorues droge dhe e ka mbajtur armën në mënyrë të kundraligjshme për 11 ditë.

Mbi 65 kandidatë për anëtarë jurie u morën në pyetje dhe 29 prej tyre u skualifikuan deri në orët e pasdites. Një kandidate e skualifikuar tha se nuk ishte e sigurtë nëse mund të tregohej e paanshme për shkak të opinionit që kishte krijuar për zotin Biden pas njoftimeve në media.

Kur u pyet nga avokatët për opinionin e saj, ajo u përgjigj se, “Nuk është i mirë”.

Çështja po shkon në gjyq pasi dështoi një marrëveshje paraprake që do të kishte shmangur një gjyq të tillë kaq pranë zgjedhjeve të këtij viti. Zoti Biden ka deklaruar pafajësinë dhe ka thënë se po sulmohet me të padrejtë nga Departamenti i Drejtësisë, pasi republikanët e kritikuan marrëveshjen e arritur, si një trajtim i veçantë për djalin e presidentit demokrat.

Ky proces po zhvillohet vetëm pak ditë pasi ish-presidenti Donald Trump, njëkohësisht edhe kandidati i pritshëm republikan për president, u shpall fajtor për 34 akuza penale në qytetin e Nju Jorkut. Megjithëse dy çështjet penale nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, ato dëshmojnë se si gjykatat janë vendosur në epiqendër të vëmendjes gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e këtij viti.

Në Dellauer, kandidatët për anëtarë jurie që ishin përgjigjur "po" në një pyetësor u pyetën në vazhdim individualisht nga gjyqtarja Maryellen Noreika për të përcaktuar nëse mund të tregoheshin të drejtë dhe të paanshëm. Emrat e tyre nuk u bënë publikë.

Pyetjet ishin në lidhje me njohuritë e tyre për çështjen, mendimet e tyre për zotërimin e armëve dhe nëse ata, apo një person i afërm, pati luftuar ndonjëherë me abuzimin me substancat ose ndërvarësinë. Pyetje të tjera kishin të bënin me rolin që mund të ketë luajtur politika tek këto akuza.

Një kandidat u skualifikua pasi i tha gjykatëses se kishte shitur armë në të kaluarën dhe i njihte formularët që duheshin plotësuar. Gjithashtu u skualifikua një grua që tha se burri i saj ishte mik i djalit të vdekur të presidentit Joe Biden, Beau-së, dhe se ajo mendonte se Hunter-i ishte një njeri i mirë.

Një tjetër kandidat u skualifikua sepse familja e tij ka një historik të gjatë shërbimi në strukturat e zbatimit të ligjit dhe ai tha se nuk mund të tregohej i paanshëm. Një tjetër u skualifikua sepse ishte shumë i vetëdijshëm për rastin dhe tha se, "Duket sikur politika po luan një rol të madh në atë se kush akuzohet, për çfarë dhe kur".

Vetëm një nga kandidatët i ishte përgjigjur "jo" të gjitha pyetjeve dhe kaloi në fazën tjetër. Një tjetër kandidat që nuk u skualifikua, tha se ka leje për të mbajtur me vete armë të fshehur dhe se zotëron tre pistoleta. Ai tha se ka pikëpamje të forta në favor të së drejtës për mbajtjen e armëve dhe beson se çdo qytetar që i bindet ligjit duhet të jetë në gjendje të zotërojë një armë.

"Unë besoj se Amendamenti i Dytë është shumë i rëndësishëm", shpjegoi ai.

Avokatët e të dyja palëve kërkuan së bashku skualifikimin e një gruaje që shprehu pikëpamje të forta kundër armëve gjatë marrjes në pyetje.

"Do të doja ligje më të forta në këtë vend për disa lloje të armëve", tha ajo. "Ato automatike, që ju e dini, vrasin fëmijë në shkolla".

"Do t’i ndaloja në tërësi për të qenë e sinqertë", pranoi gruaja, e cila tha gjithashtu se ka bërë donacione për kandidatët demokratë për në Kongres dhe se i ishte bashkuar "një prej grupeve të rezistencës" pas zgjedhjeve të vitit 2016.


Hunter Biden-i do të përballet me një gjyq tjetër në Kaliforni në shtator për akuzat se nuk ka paguar 1.4 milionë dollarë taksa. Të dyja çështjet ishin në plan të zgjidheshin me një marrëveshje me prokurorët korrikun e kaluar, në kuadrin e një hetimi shumëvjeçar të bizneseve të tij.