Zelenskyy, u kërkon udhëheqësve botërorë të konfirmojnë pjesëmarrjen në konferencën për paqen në Ukrainën

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy në takimin e Singaporit, Shangri-La, 2 qershor 2024

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili mori pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes në Singapor tha se ishte “i zhgënjyer” që disa udhëheqës botërorë nuk e kishin konfirmuar ende pjesëmarrjen në konferencën për paqen në Ukrainë që do të mbahet në Zvicër pas pothuajse dy javësh.

Ai nuk specifikoi asnjë vend me emër, por pjesëmarrja e mundshme e Kinës, aleati më i rëndësishëm i Rusisë, shihet si një çështje kyçe.

“Po, jemi të zhgënjyer që disa udhëheqës botërorë nuk e kanë konfirmuar ende pjesëmarrjen në takimin e nivelit të lartë të paqes. Fatkeqësisht, ka edhe përpjekje për ta dëmtuar atë takim. Ne nuk duam të besojmë se kjo është një dëshirë monopoliste në botë për t'i mohuar komunitetit global mundësinë për të vendosur për luftën dhe paqen dhe për ta lënë këtë pushtet në duart e një ose dy vendeve”, tha Presidenti Zelenskyy.

Shefi i mbrojtjes kineze, Dong Jun, nuk dukej të ishte i pranishëm gjatë fjalimit të Presidentit Zelenskyy.

Ministri Dong nuk përmendi në mënyrë specifike gjatë fjalimit të tij takimin që parashihet të mbahet në Zvicër, por tha se “për krizën e Ukrainës, Kina i ka nxitur bisedimet e paqes duke mbajtur një qëndrim të përgjegjshëm”.

Ai shtoi se Kina nuk i kishte ofruar armë asnjërës palë në konflikt.

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin ishte i pranishëm gjatë fjalimit të udhëheqësit ukrainas.

Gjatë muajve të fundit, një sërë udhëheqësish europianë, mes tyre kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, kanë shprehur shqetësim mbi mbështetjen e Kinës ndaj përpjekjeve të Rusisë për luftë dhe i kanë bërë thirrje Pekinit të ushtrojë ndikimin e tij për të lehtësuar vendosjen e paqes.

Vendet perëndimore po ashtu kanë paralamëruar Kinën mbi mbështetjen e vazhdueshme për përpjekjet e Rusisë në luftën ndaj Ukrainës.